Idrizi: Rama, karikaturisti i një regjimi autoritar

PDIU ka një marrëveshje të shkruar me z. Basha, që fillon me kujtesën historike e shkon deri në avancimin për të fituar të drejtat pronësore në Gjykatat Ndërkombëtare. Atyre pak çamëve që janë të fundit në listat e PS-së, i ftoj të na tregojnë nëse kanë marrëveshje me Ramën se çfarë do të bëjnë për Çështjen Çame.

Skandalet financiare në Shqipëri janë të përditshme. Ne duhet të paguajmë për tekat e Edi Ramës, siç është rasti i 110 milionë eurove, sepse ai mendon që e ka Shqipërinë pronën e tij, se mund të mbyllë një television se nuk i pëlqen. Ne na duhet një njeri normal, që qeveris në emrin tonë, me votat tona dhe taksat tona, një njeri i përgjegjshëm.

Rama premtoi 300 mijë vende pune, por largoi nga vendi 450 mijë shqiptarë, një nga problemet tona më të mëdha, përveç krizës institucionale. Me vota të vjedhura, të inkriminuara, nuk mund të presësh dot një qeverisje si shërbesë për qytetarët, por një regjim oligarkësh, duke filluar nga Edi Rama deri te “matrioshkat” e tij. Regjimi autoritarist i Edi Ramës sot ka degjeneruar. Ai erdhi si shpresë, por u kthye në karikaturistin e një regjimi autoritar.