Shpëtim Idrizi: varrezat greke qëllimshëm vënd konfliktesh. Greqia ka ndërhyrë për të mbrojtur ekstremistët e Agimit të Artë
Deklarata e plotë:
PDIU, ndjek me shqetësim ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Bularat.
Për shumë arsye, por dhe që të parandaloheshin ngjarje të tilla, NE e
kemi kundërshtuar ngritjen e Varrezve të Ushtarëve Grekë, që erdhën si
pushtues në territorin e Shqipërisë …
Ngritja e këtyre varrezave dhe dhënia e Statusit të Varrezave Historike
dhe shndërrimi i tyre në vend pelegrinazhi çdo vit kanë gjallëruar qarqet
ekstremiste Greke të Vorio-Epirit, si në rastin e djeshëm, por dhe të
patriotëve shqiptarë, të cilëve u hiqet e drejta e protestës dhe ndalohen
nga policia.
Në mungesë të plotë të reciprocitetit, por dhe të dinjitetit kombëtar, u bë
marrëveshja për toponimet, ligji për minoritetet dhe ngritja e Varrezave
të ushtarëve Grekë, të rënë në luftën Iitalo–Greke, duke mos marrë në
konsideratë ngritjen e varrezave për Shqiptarët e Çamërisë.
Sic e kemi thënë më sipër do të mjaftonte ngritja e një memoriali dhe
dërgimi i të rënëve pranë familjeve të tyre në Greqi dhe jo ngritja e
fantazmave të Vorio-Epirit.
Festa e Greqisë mund të festohet në Greqi, e jo me ekstremistë të
importuar në varre imagjinare ushtarësh pushtues grekë dhe që lëvizin të
lirë, duke rrezikuar integritetin tonë.
Minimalisht kjo marrëveshje do duhej të shoqërohej me heqjen e ligjit të
luftës nga Greqia, që mesa duket nuk është me në axhendën diplomatike
të dy vendeve.
Ky është rasti për të ngritur alarmin për institucionet e Sigurisë
Kombëtare, SHISH-in, SHIU-n, Prokurorinë, etj, se si është e mundur që
persona të tillë, që në profilet e tyre, e tregojnë hapur që janë ushtarë të
Vorio–Epirit, e nuk ndalohen.
Kam dy pyetje publike për Ministrinë e Brendshme dhe SHISH:
1. A janë ndaluar në datën 25 Tetor nga policia e Shtetit, në pikën
kufitare të Kakvijës, anëtarët e bandës së Vorio–Epirit, shtetasit Grekë,
Mondis Kokalias dhe Theodhoros Asvestopulos për 4 orë?
2. A janë liruar më pas këta shtetas me ndërhyrjen e Konsullit Grekë të
Gjirokastrës?
PDIU e ka paralajmëruar Qeverinë Rama, se duke heshtur për gjenocidin
mbi Shqiptarët e Çamërisë e duke I dhënë Greqisë varrezat, detin e çdo
gjë që ajo kërkon, po vendos në rrezik Çështjen Kombëtare Shqiptare.
Dhe sa shembuj të tillë do duhen që të kuptoni që përballë Greqisë duhet
dinjitet dhe Reciprocitet, që nis nga Çështja Çame dhe Heqja e Ligjit të
Luftës.
Shqiptarët, përfshi banorët e paqtë të minoritetit grekë, që dje u
terrorizuan, duan një jetë të sigurtë e me dinjitet, që politikat e vasalitetit
me Greqinë nuk ja garantojnë dot.
PDIU I bën thirrje Ministrisë së Jashtme që të kërkojë urgjentisht nga
autoritetet greke, shpjegimet për ngjarjen e djeshme, veprimtarinë e
organizatave terroriste të Vorio-Epirit në Greqi, siç e pamë edhe dje
aktivitetin e dhunshëm përpara ambasadës shqiptare në Athinë, ku
protestohej me flamujtë e Vorio-Epirit, si dhe për financimet sekrete të
Ministrisë së Jashtme, standart që nuk ekziston në diplomacinë
perëndimore e të vendeve të NATO-s