PDIU takim me të rinjtë, Idrizi: fuqia e rinisë për të na tejkaluar ne dhe të parët tanë, është shpresa më e madhe dhe e vetmja siguri e garanci që ne kemi

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe deputetja Mesila Doda.

Kryetari i PDIU-së u shpreh se të rinjtë janë shpresa për ta çuar Shqipërinë në Europë.

“Unë mendoj që të rinjtë duhet të kalojnë çdo kufi. Kufijtë e imagjinatës, por edhe kufijtë e asaj që sot është prezent, mungesës së shpresës, kreativitetit dhe aspiratave. Sepse ju keni forcën dhe arsyen për të pasur aspirata në këtë vend. Për këtë vend që më vjen keq, kur e kemi nisur 27 vjet më parë ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa ne ishim shumë idealist, por paskemi qenë edhe pak naiv në këtë kuptim, sepse ne mendonim që pas një viti, pas dy vitesh, Shqipëria do të ishte pjesë e Europës. Por mesa duket ky tranzicion me zig-zake që kemi bërë këto 27 vjet, na vjen tani të shpresojmë që fëmijët tani të jenë pjesë e Europës.
Në fakt fuqia e rinisë për të na tejkaluar ne dhe të parët tanë është shpresa më e madhe dhe e vetmja siguri dhe garanci që ne kemi. Por si mund të arrihet kjo? Duke ju dhënë fuqi të plotë të rinjëve. Por si mund t’jua japim këtë fuqi?
Në radhë të parë ne duhet të ndërtojmë modelet e një shoqërie solidare, e një shoqërie të drejtë, e një familjeje të fortë dhe me kohezion social. T’ju mbrojmë të rinjëve tanë vlerat e familjes dhe unë besoj që këtu fillon ky burim parësor i frymëzimit të të rinjve”,- tha z.Idrizi.

Kryetari i PDIU-së propozoi një model të ri studimi për të rinjtë nga shkolla deri në Universiteti.
“Ne mendojmë që i gjithë zinxhiri shkollor në Shqipëri, nga ai parashkollor e deri tek universitetet, duhet të reformohet thellësisht, radikalisht, në mënyrë që ai të rilidhet dhe të rikonceptohet. Ne nuk duhet të kemi thjesht shkolla me mësues dhe nxënës, shkolla me studentë dhe pedagogë. Por neve na duhet në radhë të parë të kemi institucione formimi dhe edukimi. Ku mësuesit dhe nxënësit, pedagogët dhe studentët, janë komunitete që bashkëudhëtojnë dhe nuk janë thjesht mësuesi-lektori flet dhe të tjerët shkruajnë dhe thjesht nxëmë. Janë komunitete që modelojnë, formojnë, modele jetësore dhe qytetarie. Besoj që këtë ne duhet ta bëjmë nëpërmjet inkurajimit të mendimit kritik dhe shërimit të imagjinatës dhe kreativitetit të çdonjërit prej jush. Vizioni ynë si PDIU është që shkollimi të jetë formësim, të jetë edukim. Duke i parë shkollat dhe universitetet si komunitete të pashkëputura e të pranishme në jetën e nxënësve, në jetën e mësuesëve, pedagogëve, studentëve gjatë gjithë jetës së tyre në këtë gjatësi formimi nga ai parashkollor deri tek ai universitar.Vetëm me këtë vizion unë jam i bindur që do t’i fuqizojmë të rinjtë”, – tha Shpëtim Idrizi gjatë takimit me të rinjtë.


Gjithashtu kryetari i PDIU-së theksoi se është shumë e rëndësishme plotësimi i hartës identitare të të gjithë të rinjve.
“Thelbësore është plotësimi një herë e mirë i hartës identitare kombëtare të të gjithë të rinjve. Në mënyrë që krenaria dhe dinjiteti i tyre si shqiptarë mos të jetë vetëm në stadiume, apo kur marrim kupa, e kur marrim medalje. Por duhet të jetë në çdo ditë të jetës tonë, sepse ne duhet të jemi krenarë që jemi shqiptarë, një komb me histori, me kulturë. Kjo është arsyeja pse ne kemi zgjedhur një slogan shumë sinjifikativ, që ne kemi “Veç një Atdhe”. Duhet të jetë një dashuri në radhë të parë për Atdheun. Ne kemi plot arsye që si komb e si shqiptarë për të qenë krenarë e kryelartë në çdo ditë të jetës tonë. Unë ju ftoj të na tejkaloni neve dhe të jeni juve shpresa e Shqipërisë sot dhe jo nesër. Kjo është arsye pse për neve meritokracia, gara, vlerat, talenti, zotësia do të jenë kriteret qe ne do t’i vendosim në themel të strukturës tonë poitike por edhe në themel të ofertës tonë qeverisëse”,- theksoi kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Ndërsa deputetja Mesila Doda tha se: “Dua t’u kujtoj se seicili nga ne dikur ka qenë student dhe i panjohur dhe secili nga ne ka ngjitur avash-avash shkallët e mundimshme, e sot jemi deputetë. Dua të përçoj vetëm një mesazh: Të rinjtë duhet të kenë guxim, kush është i ri dhe nuk është rebel nuk ka zemër, thotë një shprehje, kurse kush është i vjetër dhe nuk është konformist nuk ka mend. Bashkë me rënien e komunzimit ra dhe ngrehina e vlerave, u duk sikur paraja mund të zëvendësonte gjithçka. Shoqëria sot ka një boshllëk shumë të madh, do vij një moment që do realizoni veten, do krijoni familje, do ecni në karrierë dhe do ktheni kokën dhe do shikoni kush ishte ajo ngrehinë e madhe që ngritët. Pas besimit në Zot, për ata që besojnë do jetë atdheu. Nuk është retorikë, është nevojë t’u kthehemi vlerave të vërteta për të cilat ja vlen të jetosh, sakrifikosh e vdesësh”.