PDIU takim me banorë të njësisë nr.9 në Tiranë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me banorë të njësisë nr.9 në Tiranë. Në këtë takim merrte pjesë kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, deputetja Mesila Doda, si dhe kandidatët për deputet në qarkun e Tiranës, Marin Rami e Arjan Hamiti.

Shpëtim Idrizi u shpreh se të gjithë shqiptarët duhet ta refuzojnë arrogacën e Ambasadores greke për pllakën e Çamërisë që është vendosur në Sheshin “Skënderbej”.

“Sot e kësaj dite ju shihni arrogancën e një Ambasadoreje, e cila guxon në mes të Tiranës të protestojë sepse në Sheshin “Skënderbej” është vënë një pllakë për Çamërinë. Të gjithë shqiptarët duhet ta refuzojnë këtë arrogancë, shqiptarët e Çamërisë me mbështetjen e tuaj, e dinë shumë mirë që kemi nisur rrugëtimin për t’ju kthyer të drejtës tonë. Për t’ju kthyer të drejtës së Çamërisë, e cila buron nga një e drejtë themelore e njeriut. Askush s’mund të mendojë që mund ta fsheh, mund ta degjenerojnë apo të sillet kështu me ne. Jam i bindur që ajo pllakë i bën nder të gjithë Shqipërisë”,- tha kryetari i PDIU-së.

Z.Idrizi u shpreh se në Shqipëri mungon politika e pandëshkueshmërisë dhe prandaj duhet që në 25 qershor të ndëshkohen ata që e bënë tranzicionin të pafund.

“Gjëja më e madhe që mungon në këtë vend është politika e pandëshkueshmërisë. Ju e dini shumë mirë që në këtë vend ku nuk funksionin shteti i të drejtës, pandëshkueshmëria është prezent në politikë, në pushtet, është prezent kudo tek ata që vendosin për fatet tona. Ju drejtohem çdonjërit prej jush, ky është rasti në këto zgjedhje, që ju qytetarët të ndëshkoni ata që nuk i ka ndëshkuar deri më sot shteti i të drejtës. PDIU i do të gjithë shqiptarët bashkë sepse partitë e tjera kanë qenë shumë të prirura që t’i ndajnë shqiptarët në të majtë e në të djathtë. Edhe varfëria e tejskajshme i ka ndarë shqiptarët, drejtësia i ka ndarë shqiptarët, pandëshkueshmëria i ka ndarë. Kjo është arsyeja pse ne, ndryshe nga forcat e tjera politike, ju ftojmë të bashkoheni në atë që është në përkatësinë tonë. Në radhë të parë në dinjitetin tonë si shqiptarë, që është Atdheu, kombi, flamuri si një paradigmë e madhe kombëtare, patriotike me të cilat ne duhet të ndërtojmë vlerat tona si shoqëri. Ju keni rastin që në 25 qershor të ndërshkoni me votën tuaj ata që e bënë këtë tranzicion të pafund. Ata që e bënë këtë Shqipëri, një vend të begatë, të pamundur dhe kjo është arsyeja pse unë ju ftoj të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet! Të votoni numrin 13! Të votoni për të gjithë ata që mendojnë si ne që ne kemi veç një Atdhe”,- tha Shpëtim Idrizi gjatë takimit me banorë të njësisë nr.9 në kryeqytet.

Ndërsa deputetja Mesila Doda u shpreh se forcat e tjera politike nuk kanë një program për zhvillimin e vendit.

“Dy forcat e mëdha politike nuk kanë sjellë deri më tani asgjë nga programi i tyre. Nuk dinë të na thonë se çfarë do të bëjnë me ekonominë, çfarë do të bëjnë me taksat, me tatimet. Nuk dinë se çfarë do të bëjnë me papunësinë dhe si të ulin numrin e të papunëve. Shqipëri e zhvilluar do të thotë Shqipëri e bashkuar. Ky është koncepti ynë, kjo është optika jonë. Do të kërkoja prej çdo qytetari vetëm një obligim. Nëse do të shkoni në takimet e forcave të tjera politike, kërkoni vetëm një gjë, pse nuk kanë një program, pse nuk dalin me një program dhe t’ju shpjegojnë qytetarëve atë që do të bëjnë në 4 vitet në vazhdim. Politika nuk është lojë, nuk mund të drejtohet me barcaleta. Mos harroni në datën 25 qershor votoni nr.13, votoni PDIU-në”, – tha znj.Doda.