PDIU prezanton programin elektoral, Idrizi: vizioni i programit të PDIU-së është kombëtarist, ku prevalon interesi qytetar

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka prezantuar programin elektoral, ku në fokus të tij janë çështja kombëtare, çështja e shqiptarëve të Çamërisë, zhvillimi ekonomik i vendit dhe punësimi. Në prezantimin e programit, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, u shpreh se vizioni i programit të PDIU-së është interesi i qytetarëve shqiptarë.

“Vizioni i programit të PDIU-së është kombëtarist, ku prevalon interesi qytetar dhe ai kombëtar. Ajo që na bashkon të gjithë shqiptarëve është Atdheu, është kombi, është flamuri, është gjuha, është historia. Çështja Çame është në themelin tonë jo si çështje e veçuar, por si një Çështje Kombëtare shqiptare, si një çështje që i bashkohet hartës identitare të Shqipërisë. Ne kemi folur dhe do të vazhdojmë të flasim, e të luftojmë për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, në Greqi, në Maqedoni e kudo ku jetojnë shqiptarët. Të gjitha ato janë çështje tonat, janë çështje shqiptare, siç është edhe Çështja Çame. Heqja e Ligjit të Luftës nga Greqia do të jetë hapi i parë për zgjidhjen e Çështjes Çame. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga shteti shqiptar të ulet me shtetin grek për të gjetur rrugën e zgjidhjes drejt heqjes së Ligjit të Luftës dhe për të shkuar drejt zgjidhjes së çështjes së pronave të popullsisë së Çamërisë në Greqi”,- u shpreh z.Idrizi.

Sipas kryetarit të PDIU-së duhet të bashkëpunohet me Kosovën dhe Maqedoninë, për të krijuar një treg të përbashkët për 7 milionë shqiptarë, ndërkohë që tha se falë iniciativave të PDIU-së do të bëhet e mundur hapja e 100 mijë vendeve të punës.

“300 mijë vende pune nuk përputhet me realitetin. Në programin tonë parashikohet hapja e100 mijë vende pune. Në kërkojmë nisjen e një diskutimi të madh publik për të caktuar cili është është profili i ekonomisë shqiptare. Themi turizmin dhe ndërkohë nuk shohim të ketë një taksë “holiday”, investime apo një prioritet tjetër. Specialistët dhe biznesi duhet të mblidhen dhe të përcaktojnë se kush është profili i ekonomisë shqiptare. Turizmi dhe bujqësia janë avantazh konkurues i Shqipërisë, të gjithë investimet, të gjitha iniciativat fiskale duhet të përqëndrohen në këtë drejtim. Të njëtën gjë duhet të bëjë edhe Kosova, të përcaktojë kush është profili i saj ekonomik dhe të dy këto profile ekonomike të jenë komplementare me njëra-tjetrën. Është një mundësi e jashtëzakonshme, për biznesin shqiptar, për biznesin e Kosovës dhe Maqedonisë që të kemi një treg të përbashkët për 7 milionë shqiptarë. Kjo do të bëjë që biznesi të zhvillohet, të ketë më shumë produkte, do sjellë konsum më të madh dhe normalisht do të rritet edhe punësimi”,- tha Shpëtim Idrizi.

Gjithashtu kryetari i PDIU-së, propozoi që të unifikohet administrata doganore dhe ajo tatimore, si dhe të mbështetet biznesi.

“Ne ndajmë idenë që taksat janë në radhë të parë kontribut për shoqërinë. Biznesit t’i krijohet lehtësi. Taksat nuk janë thjesht detyrim për shtetin, ata që mbledhin taksat nuk janë aty për të marrë atë që i duhet shtetit, por për të lehtësuar gjithçka. Ne duhet të stimulojmë biznesin dhe për shkak të mentalitetit komunist të mos i shohim si njerëz që duhet t’i mjelim, t’i godasim, por si njerëz që çojnë përpara këtë vend. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ti japim mundësi dhe hapësira pa fund, sepse biznesi është motorri i zhvillimit. Prandaj dhe propozimi ynë është unifikimi i administratës doganore dhe asaj tatimore. Unë mendoj se duhet një balanc shumë më e mirë mes taksimit të punës dhe taksimit të kapitalit. Ka nevojë për një studim tjetër edhe për fasha të korigjuara. Ne propozojmë që edhe tatim-fitimi nga 15% të bëhet 10% dhe mund të ndryshojë shkalla e TVSH-së për disa produkte”- u shpreh Shpëtim Idrizi gjatë prezantimit të programit elektoral.

Ndërsa deputetja Mesila Doda tregoi prioritetet e PDIU-së për çështjen kombëtare.

“Fillimisht, bashkimi ekonomik është prioritet. Përafrimi doganor, leku si monedhë kombëtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Së dyti, legjislacioni. Për një bazë të përbashkët ligjore nuk është bërë asgjë nga asnjëra palë dhe hapi i parë duhet të jetë përafrimi i legjislacionit”, deklaroi deputetja Mesila Doda. Më pas ajo parashtroi një projektligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, si ta ruajmë dhe ta mbrojmë atë. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është propozimi i krijimit të “Lidhjes së Partive Politike Shqiptare”. “Kjo lidhje do të funksionojë si një forum me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike shqiptare pa dallim për çështjet e mëdha kombëtare që mund të mbidhen periodikisht, jo më pak se një herë në vit”, – tha Znj. Doda.