Mesazhet e plota të Shpëtim Idrizit në Fier

Nga fjala e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në takimin me anëtarët e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Fier

Jemi këtu për të mbrojtur jo vetëm Çështjen Çame, por edhe Çështjen Kombëtare

“Ne jemi këtu jo vetëm për të mbrojtur Çamërinë, por edhe Shqipërinë. Ta mbrojmë Shqipërinë nga një strategji e përkrahur nga idiotët e dobishëm të Athinës në Tiranë, që fatkeqësisht i kemi në krye. Nuk ka shqiptar që nuk irritohet nga fakti që Çështja Çame, një detyrim madhor e kombëtar, nuk është në programin e qeverisë aktuale”.

 “Pashallarët e kuq” çamin e duam për vota, por Çamërinë nuk e duan

Shqiptarët e Çamërisë e kanë treguar veten që janë njerëz punëtorë dhe që i kanë dalë Zot vetes së tyre. Ata nuk mund të pranojnë dot atë që pashallarët e kuq kanë bërë për Çamërinë që në vitin ‘44 e deri sot: “atë çamin në fund, atë çamin e duam për vota, por Çamërinë nuk e duam”. Nuk ka shqiptar sot që të mos ndjehet i fyer kur dikush mendon që mund ta heqë Çamërinë edhe nga librat e historisë sepse e kërkon pala greke. Kërkon që ta barazojë atë me termin Vorio-Epir. Pra jo thjesht të na heqë identitetin ne, por të këpusë njërin krah të identitetit kombëtar shqiptar. 

Pse qeveria shqiptare hesht para Çështjes Çame, që është detyrim kombëtar?

Nuk ka shqiptar që mos ndjehet i indinjuar sot, kur kryeministri shqipar si greku më i mirë shkon dy herë në Greqi dhe nuk kujtohet dhe as kërkon heqjen e Ligjit të luftës. Si është e mundur që Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale pas 87 vjetësh pikërisht me një kryeministër të tillë? Qeveria shqiptare jo vetëm nuk e kundershton, por bën avokatinë e Greqisë. Pse qeveria shqiptare hesht para Çështjes Çame, që është detyrim kombëtar?

Kryeministri të shkojë një herë të vetme në Varrezat e Kllogjerit

Është për të ardhur keq sesi kryeministri i Shqipërisë shkon në Sarandë, bën bullizëm me të gjithë ata që duan transparencë, që shqetësohen për të ditur çfarë po ndodh me Marrëveshjen e Detit. Sa për Çështjen Çame, po e them publikisht: le të shkojë një herë të vetme dhe të vendosë një tufë lule te Varrezat e Kllogjerit ku dergjen 2900 shqiptarë të Çamërisë. Atje kalon kur shkon në zonën minoritare, atje kalon edhe kur shkon në Bashkinë e Konispolit, që ekziston vetëm falë PDIU-së sepse në hartën e Rilindjes ishte e bashkuar me Finiqin. Çamët duhet ta dinë mirë: Bashkinë e Çamërisë (Bashkinë e Konispolit) e kanë nga djemtë dhe vajzat çamë të PDIU. Pa ata sot ajo nuk do të ekzistonte.       

Censusi, beteja e fituar e PDIU-së

Ju e mbani mend betejën që kemi bërë bashkë para dhjetë vjetësh për Censusin, ku me vetëdeklarim do të dilnin 300 mijë minoritarë grekë në jugun e Shqipërisë. Dhe arritëm që me amendamentet e PDIU-së ta ndalonim këtë gjë. Sot kryeministri i Shqipërisë i ka premtuar Greqisë se do ta bëjë Censusin e ardhshëm po njëlloj. Dhe mund të rendis pafund të tilla gjëra. Sot e nesër ne do të ikim, por atdheun e kemi amanet për t’ua lënë femijëve tanë siç Zoti na e ka lënë amanet neve.

Shoqata Patriotike “Çamëria” dhe PDIU ekzistojnë për të plotësuar hartën identitare të kombit shqiptar

Për të gjithë ata që nuk e dinë se përse janë ende gjallë e punojnë Shoqata Patriotike “Çamëria” edhe PDIU-ja: në qoftë se Çështjen Çame do ta shihnim si çështje kombëtare që plotëson hartën identitare të kombit, pa dyshim që PDIU nuk do të ekzistonte. Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë të jemi në rradhë të parë për dinjitet njerëzor, për dinjitetin e çdo shqiptari te Çamërisë dhe pastaj për të kërkuar të drejtat tona si çdo njeri tjetër. Por ne nuk mund të harrojmë, që pasi erdhëm e nuk zaptuam, pasi erdhëm e ngritëm shtëpitë tona me punë, nuk ua kishim për borxh “pashallarëve të kuq” që shkrinë të gjithë elitën Çame në vitet 60, që ne të vishnin damka rraciste dhe të na bënin qytetarë të dorës së dytë. Kjo është arsyeja përse pas partisë të parë pluraliste në Shqipëri, shoqata e parë patriotike e krijuar ishte pikërisht Shoqata Patriotike “Çamëria”.

Ne shqiptarët e Çamërisë kemi luftuar gjithmonë për dinjitet njerëzor  

E dini më mirë sesa unë se si e keni bërë betejën për të gjetur një hapësirë qoftë edhe në një gazetë.  Me shumë shpirt e me shumë dashuri, sepse luftonit pikërisht për amanetin që e kemi nëpër shtëpi, për amanetin që ka shënjuar jetën e çdonjërit nga ne, por dhe për dinjitet njerëzor.

Ka ardhur koha të marrim në dorë fatet tona, mos bëhemi rezervuar votash për të tjerët

Nuk mund të jemi rezervuar votash dhe as njerëz të dorës së dytë, por duhet t’i marrim vetë në dorë fatet tona. Ne e kemi aq forcë. PDIU-ja u krijua për t’i dhënë zë Çështjes Çame sepse mbrojtja e saj jashtë politikës ishte e pamundur. Ata që kemi përballë ikin me vrap nga i fundit i Greqisë. Prandaj trimërohen grekët sepse këtu nuk ka burra shteti, por servilë përballë çdo kërkese të tyre. Na ka rënë ne barra për t’i dalë Zot jo vetëm Çështjes Çame, por edhe më shumë se kaq.  

Rezoluta, Varrezat, Censusi, Dekriminalizimi, etj.; ja çfarë kemi bërë  

Jam krenar me atë që kam bërë me shokët e mi dhe PDIU-në. Duke filluar që nga Rezoluta e Çështjes Çame, për të cilën ju nuk e dini çfarë presioni kemi pasur dhe çfarë presioni kemi bërë. Sot ajo Rezolutë mund të duket një copë letër, por do vijë një ditë që në karrigen e kryeministrit të Shqipërisë do të ulen burra si Mehdi Frashëri e Fan Noli dhe zbatimin e atij dokumenti do ta kanë të detyrueshëm.

Bashkë me Shoqatën, bashkë me PDIU-në, ne ngritëm Varrezat e Kllogjerit. E kishim detyrim për t’iu dhënë prehje mijëra të rënëve, por edhe për t’i përjetësuar ata.

Ishtë dora jonë kur komisioneri Hahn thoshte Shqipëria ka tre çështje: Ligjin e Luftës, Çështjen Çame dhe Çështjen e Pensioneve.

Kur ne bëmë Censusin, e bëmë për të gjithë shqiptarët.

Po njëlloj, kur shqiptari i Çamërisë ishte i vetmi që ngrihej për të kundërshtuar Raportin e Dick Martyt.

Ne vazhdojmë sot të bëjmë me mijëra aktivitete, libra, botime. Sepse ne mbajmë gjallë Çështjen Çame.

Ishim ne që luftuam kundër diskriminimit. Prandaj kemi marrë nisma ligjore parlamentare si Dekomunistizimi, dhe këtë jo vetëm formalisht.

Por edhe nisma për Kosovën, Maqedoninë e Veriut, shqiptarët e Malit të Zi dhe Diasporës.

Dikush na thotë të merremi me çështjen tonë. Jo, sepse çështja e shqiptarëve të Çamërisë nuk është e jona. Ne nuk kemi ngritur komision për kthimin e pronave, ne kërkojmë atdheun tonë. Çamëria është e të gjithë shqiptarëve.

Na sulmuan se u bëmë të fortë. Goditja u projektua në mes të Athinës dhe u zbatua nga ata që kishim në krah

U bëmë shumë të fortë edhe politikisht. Morëm 5 deputetë, kryetarë bashkie, zv. ministra, pastaj erdhi goditja sepse po bëheshim të rëndësishëm. Goditje e projektuar në mes të Athinës, dhe e zbatuar nga ata që kishim në krah. Ata e bënë se kishin hallin e tepsisë. Ata nuk grabitën mandatet e X-it apo Y-it, por mandatet e Çamërisë në Tiranë, Fier. Nuk do ta hiqte dot “rilindasi i kuq” Çështjen Çame nga programi nëse ne do kishim njerëzit e PDIU-së në Parlament.

Bashkimi Kombëtar në Kushtetutë. Të bashkuar më të fortë, por jo me folklorizma

I dëgjoni këta që iu dhemb veshi kur ne flasim për Bashkimin Kombëtar. Atë e kanë të shkruar në Preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë ku shkruhet e zeza mbi të bardhë: “me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”

Kush kërkon Bashkimin Kombëtar është duke zbatuar Kushtetutën. Po të bashkohemi, jo me folklorizëm, padyshim që bëhet një Shqipëri më e fortë, me ekonomi më të fortë. Por në fillim duhet të afrohemi përmes arsimit të përbashkët, Akademisë së Shkencave të përbashkët, shkollimit të përbashkët, ekonomisë, etj.