Lushnje, Idrizi: Kauza jonë më e fortë se çdo individ
Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi zhvilloi një takim me strukturat drejtuese dhe mbështetës në qytetin e Lushnjes. Në fjalën e tij, Idrizi theksoi peshën elektorale të PDIU në 25 prill, kjo e konfirmuar edhe nga sondazhet, si faktor në skenën politike shqiptare, tashmë e konfirmuar forcë e katërt politike prej 10 vitesh.
“E keni parë që gjatë gjithë kohës ka filluar një sulm shumë i madh mbi PDIU dhe votat e saj. Si në 2017-ën. Besoj i keni parë edhe sondazhet. U përpoqën 4 vjet të na përçajnë, të marrin dhe të bëjnë të tyret drejtorët dhe deputetët, që të na ulin dhe tradhtojnë ne, por ja ku jemi sërish në këmbë. Shihni sondazhet edhe në TV e tyre, PDIU-në e keni me 45 mijë vota dhe shumë të rëndësishme në 5 qarqe. Kjo nuk është thjesht çështje njerëzish, por është një çështje ekzistenciale dhe ka të bëjë me logon e PDIU. Logoja, kauza, është më e fortë se çdo individ, është ajo për të cilën ne ekzistojmë si parti politike, ku prej 10 vitesh jemi partia e katërt politike në Shqipëri”, u shpreh kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.
Idrizi deklaroi gjithashtu se votat dhe mandatet e PDIU në pesë qarqe, do të nxjerrin në opozitë ata që sipas tij tentuan të përdorin si “çakmak” çështjen Çame dhe më pas e hoqën edhe nga programi qeverisës, duke bërë kështu avokatin e Greqisë.
“Votat e PDIU në 5 qarqe, prodhojnë mandate, do të jenë këto vota dhe mandate të PDIU-së që do t’i nxjerrin në opozitë, ata të cilët menduan se do ta përdornin çështjen Çame si çakmak, që e hoqën nga programi i qeverisë dhe sot po na qahen pse u bë greku me çamin. Kush? Edi Rama që shkon në Greqi dhe ha një darkë të shijshme me kryeministrin e Greqisë? Kush, këta njerës që lejuan që Greqia të hante 12 milje, siç hëngrën këta të babëziturit biftekun te Nusreti? Këta do na tregojnë ne se çfarë të bëjmë? Kam parë edhe shumë analistë, asnjëherë asnjë fjalë nuk kanë shkruar për Çamërinë. Prandaj po them që do të jenë pikërisht votat e PDIU, mandatet e saj, jo vetëm që do t’i nxjerrin në opozitë, por do t’i ulin në stolin e turpit të historisë”, u shpreh Idrizi.
25 prilli, tha Idrizi, duhet të bëjë bashkë të gjithë shqiptarët në mënyrë që vendi të mos jetë më në dorë të 5 personave, të cilët sipas tij kanë zhvatur çdo pasuri publike.
Kreu i PDIU bëri përgjegjëse qeverinë për mosheqjen e ligjit të luftës nga ana e Greqisë si dhe lejimin e ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar.
Rama, tha Idrizi, nuk e ka marrë mundimin as të shkojë dhe të vendosë një tufë me lule te Varrezat e Kllogjerit, në kujtim të 2900 çamëve që humbën jetën nga uria dhe sëmundjet, pas dëbimit nga tokat e tyre.
Idrizi tha se komuniteti çam kërkon të kthehet në shtëpitë e tyre me të njëjtin status si para vitit 1944, ndërsa shtoi se nga Athina pret një ndjesë publike për gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare.
“Absolutisht që jemi parti që e kemi shumë të qartë, që kërkojmë një ndjesë të madhe publike nga shteti grek, për të gjithë këtë gjenocid që ka ndodhur. Kërkojmë të kthehemi në shtëpitë tona me statusin që kemi pasur para vitit 1944. Do të kërkojmë që të nderohen të gjithë ata që dhanë jetën, u masakruan, u vranë, pleq, gra dhe fëmijë, në shtëpitë e tyre dhe jo në luftë.
Nuk kemi kërkuar as ndryshim kufijsh, nuk kemi kërkuar as të transferojmë siç dikush tjetër ka kërkuar të bëjë probleme që mund të ketë komuniteti Çam dhe Greqia, por do t’i rrijmë çdo çështje kombëtare përballë dhe më vjen mirë që edhe shumë nga opinoni publik, kur të gjithë këta heshtin si fija e barit, thonë: “Po ju pse nuk reagoni…” Kjo tregon që ne jo vetëm i dalim për zot kauzave tona, por bëjmë edhe më shumë, sepse për ne çështje Shqiptare e Çamërisë, identiteti kombëtar, nuk është çështje as drejtorësh dhe as deputetësh, që shiten e blihen, as koncesionesh, por në radhë të parë një çështje identitare e kombit shqiptar”, tha mes të tjerash Idrizi.