KPR tur kombëtar për ndërgjegjësimin patriotik të të rinjve
Klubi Patriotëve të Rinj nisi nga Saranda dhe Konispoli një tur kombëtar që synon ndërgjegjësimin patriotik të të rinjve anekënd Shqipërisë. Aktiviteti nisi në sheshin qëndror të Sarandës me çeljen e një ekspozite lëvizëse me 13 portrete të figurave më të shquara nga Çamëria, ku interesi qytetar për jetën dhe veprën e atdhetarëve çamë ishte i jashtëzakonshëm.
Turi vijoi me një takim në Delvinë, ku anëtarët e KPR-së prekën nga afër harresën nga shteti dhe pasigurinë për të ardhmën të të rinjve të qytetit.Rinia është burim i dinamizmit dhe potencialit të Shqipërisë për ndryshim, por të rinjtë në vendin tonë nuk janë të mirë arsimuar, mbeten të papunë, energjitë e tyre shtypen me politizimin e gjithçkaje, atyre nuk u besohet, madje ata shihen si rrezik potencial për ndryshimin e statusquo-së.
Në qytetin e Konispolit KPR i dhuroi Shkollës së Mesme të Bashkuar “Bido Sejko” portretet e personaliteteve të Çamërisë, si dhe vendosi të ndërtojë një kabinet historie që do të ketë në fokus historinë e Çamërisë. Këto akte u përshëndetën nga drejtues të Shkollës dhe nxënës çamë konispolatë.
Në takimin me të rinjtë e Konispolit KPR u njoh dhe me sfidat e prodhimit bujqësor vendas duke dëgjuar kërkesën e kahershme te konispolatëve për rolin e shtetit, i cili nëpërmjet suvencionimeve duhet të krijojë një treg që është konkurrues me prodhimin e huaj.
Vizita e KPR-së u mbyll me një homazh në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, ku në pllakën e memorialit janë të shkruar emrat dhe datëlindjet e mijëra çamëve të pafajshëm, që vdiqën vetëm sepse ishin shqiptarë.
Në përfundim të kësaj vizite 3-ditore, Kryesia e KPR-së mori vendimin që këto aktivitete t’i shtrijë në çdo qytet për t’i ftuar të rinjtë për bashkëvepruar për të zgjidhur problemet e tyre, qoftë në Tiranë, qoftë në zonat rurale të Shqipërisë.