Deklaratë: Shqipëria të mos heshtë më për Luginën

Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përulet me dhimbje dhe respekt të thellë në nderim të 45 të pafajshmëve që u masakruan barbarisht në Reçak. Ky akt i pastër gjenocidi dhe spastrimi etnik, i dokumentuar nga misioni i OSBE-së, bëri që bashkësia ndërkombëtare të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë.

Ne, si forcë që kërkon zgjidhjen përfundimtare të Çështjes Çame, por edhe si parti e mbrojtjes së Diasporës dhe bashkimit kombëtar, vërejmë me shqetësim që pas akteve gjenocidale ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe atyre të Kosovës, brutaliteti ndaj shqiptarëve për qëllime hegjemoniste vazhdon.

Ai sot po zhvillohet në formën e një spastrimi të heshtur etnik përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Që Lugina e shqiptarëve, të mos mbetet pa shqiptarë, ne i bëjmë thirrje shtetit amë që të mos heshtë më! Për të ndërtuar fqinjësi të mirë dhe një të ardhme të paqes dhe mirëqenies në Rajon, më së pari duhet të vihet në vend drejtësia për jetët e humbura dhe të zhdukurit, si dhe të ndërpritet urgjentisht ndryshimi i strukturës etnike në Luginën e Preshevës.

Që historia të mos përsëritet, kërkojmë nga shteti shqiptar të ngrejë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës në të gjitha institucionet ndërkombëtare.