Deklaratë mbi Raportin e Freedom House për Shqipërinë

Shqipëria “e rilindur” e Edi Ramës vijon të marrë goditje të njëpasnjëshme ndërkombëtare. Sipas Raportit të këtij viti të Freedom House “Liria në Botë” Shqipëria shënon sërish regres dhe vlerësohet si vend pjesërisht i lirë.

Raporti vlerëson se ka rënie në kategorinë e të drejtave të grumbullimit dhe organizimit, duke përmendur në mënyrë të veçantë dhunën ndaj protestuesve gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar, por edhe vrasjen e të riut Klodian Rasha.

Për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të Edi Ramës, që nga dita kur erdhi në pushtet, vendi ynë vazhdon të shënojë regres në të gjithë raportet prestigjioze ndërkombëtare.

Sipas Raportit “Kombet në Tranzit 2020” të Freedom House, në Shqipëri vijon të rritet korrupsioni dhe të bjerë liria e medias. Sipas Raportit, në Shqipëri shkelen parimet demokratike dhe bjerren institucionet.

Raporti i Transparency International nxjerr në pah korrupsionin e lartë në Shqipëri dhe diferencën e madhe me mesataren e përgjithshme të korrupsionit në Europë dhe më gjerë.

Edhe raportet e FMN-së për Shqipërinë janë më kritiket në rajon, qoftë për mënyrën sesi menaxhohen financat publike, qoftë për mungesën e transparencës dhe rrezikun e lartë të PPP-ve dhe rritjen e borxhit.

Ndërsa në raportin e saj “Covid and Economic Outlook”, Banka Botërore vëren se niveli i varfërisë në vend vazhdon të rritet.

Në gjendjen ku e ka shpënë vendin, Edi Ramën nuk e shpëton dot asnjë truk propagandistik. Fitorja e opozitës së bashkuar në 25 prill do të jetë dita e rikthimit të demokracisë dhe të qeverisjes në dobi të qytetarëve.