Idrizi takim me shtabin elektoral të PDIU-së në Durrës
Gjatë ditës së djeshme, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi zhvilloi një takim me shtabin elektoral të PDIU-së në qytetin e Durrësit.
Idrizi u shpreh se më 25 prill komuniteti çam dhe qytetarët e Durrësit do të mbështesin kandidatin e PDIU-së, Florian Tahiri. Ai shtoi se nuk ka shqiptar që të mos ndihet i fyer kur kryeministri në ikje kërkon ta heqë Çamërinë nga librat e historisë dhe ta barazojë atë me termin Vorio-Epir, siç e kërkon pala greke.
Idrizi tha se PDIU-ja i jep zë Çështjes Çame, ndaj ka ardhur koha që shqiptarët e Çamërisë të marrin në dorë fatet e tyre, duke u bashkuar të gjithë rreth PDIU-së dhe kauzës që ajo përfaqëson.
Më tej kreu i PDIU-së theksoi se kryeministri në ikje po bën fushatë me projekte 3D, ndërsa Shqipërinë e ka dhënë me koncesion te një grusht njerëzish. Për Idrizin në 25 prill Shqipëria voton për t’ju kthyer dinjitetin qytetarëve, për punësim dhe zhvillim ekonomik.


