Shoqata Patriotike “Çamëria”

Këta janë disa nga fëmijët shqiptarë nga Çamëria, gjyshërit dhe prindërit e të cilëve u masakruan më 1944-1945, nga ushtria greke. Shumë prej tyre mbetën jetimë, u rritën dhe u shkolluan me shumë vështirësi, nën privacionet  e regjimit  totalitar, që e arshivoi çështjen çame si një çështje të harruar. Por nuk e harruan kurrë Çamërinë.

Ish-kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës “Çamëria”, shkrimtari Fadil Zeqiri, nuk e harroi Çamërinë sa ishte gjallë. Shovinistët grekë i vranë prindërit dhe shumë të afërm të tij. Mbeti jetim dhe kështu detyrohet të vijë në Shqipëri,siç dihet me shumë vëllezër, motra, fëmijë të braktisur, pleq e plaka të rrënuara. Amaneti  e shpuri atje, në vendlindje, pak kohë para se të mbyllte sytë. Bëri fotografi, filmoi gurët e Çamërisë, rrënjët e shëndosha të gjakut të pastër, varret e të parëve, u çmall me Çamërinë, por dallgët e zemrës nuk iu prehën. Loti i dhimbjes bëhet gur e guri kërkon themelin. Themeli është atje i ngurosur, në Pargë, Paramithi, Dodonë, në Filat e Gumenicë, në Prevezë e në gjithë Çamërinë… Gati duket sikur Çamëria është boshti i tokës, një prush uniteti atdhetar e kulturor i mbijetuar në breza.

Në këtë prush ngjeu penën e shkroi Fadili, për këtë ideal të lartë rrahu zemra e tij, sepse, siç thotë dhe kënga: “Unë e dua Çamërinë/ barabar’ me shpirtin tim – ë”, edhe i paharruari Fadil Zeqiri e deshi shumë Çamërinë dhe s’e ndërrronte me asnjë tjetër në botë.

Asnjëherë bijtë e Çamërisë  nuk kanë reshtur përpjekjet në kërkim të të drejtave të tyre kombëtare dhe njerëzore.  Regjimi komunist ndaloi organizimin e popullsisë çame pas vitit 1953, vit kur edhe iu hoqi arbirtrarisht, “en blok”, shtetësia greke, me një dekret të posaçëm antikushtetues.

Përndjekjet e regjimit totalitar ndaj kësaj popullsie vitale tashmë janë të njohura dhe kulmuan me inskenimin e “grupit çam antiparti”, pas të cilit çamët u trajtuan si qytetarë të dorës së dytë.

Por më në fund ngjarjet rrodhën ndryshe nga llogaritë e bëra dhe koha filloi të punonte edhe  për Çamërinë. Viti 1991 shënon fundin e heshtjes së madhe. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për bijtë e bijat e Çamërisë një ngjarje historike. Ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare.

Intelektualët çamë, të përkrahur nga njerëzit e thjeshtë patriotë, pa ndonjë ndihmë nga jashtë, filluan menjëherë organizimin për krijimin e “Shoqatës Patriotike Çamëria”, qysh në dhjetor 1990. Biseda bëheshin pafund, por ende ishte e rëndë dhe e frikshme hija e diktaturës.

Takimet e para u bënë në studion e skulptorit Ilmi Kasemi, në shtëpinë e Ferhat Sejkos, në shtëpinë e Sali Bollatit e të Ilmi Saqes. Në lëvizjen për zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare u përfshinë shumë emra të spikatur të komunitetit si: Abaz Dojaka, Lutfi e Ilmi Saqe, Petrit e Ilmi Kasemi, Sali Bollati, Nexhat Merxhushi, Petrit e Resul Demi, Nexhat Merxhushi, Servet Mehmeti, Emin e Ferhat Sejko, Arshin Rexha, Ibrahim Hoxha, Hasan Minga, Vehip Dojaka, Gazali Sejko, Resul Taipi,  Fatos Mero Rrapaj, Laurant Bici, Ballkize Halili, Ibrahim Hoxha, Gjin Varfi, Hasan Musaj, Jaho Saliu, Martin Demi, Rexhep Çami, Ramazan Banushi, Bejdo Mehmeti, Daut Xhaferi e plot të tjerë.

Me anë të një deklarate të afishuar në 10 Janar 1991 u njoftua botërisht themelimi i Shoqatës Patriotike Çamëria.Vendimi për miratimin e shoqatës nga Ministria e Drejtësisë, me firmën e ministrit Enver Halili, u transmetua  në TVSH po më 10 janar 1991.

Qëllimi që i vuri vetes shoqata ishte “Mbrojtja dhe njohja e të drejtave të popullsisë shqiptare të Çamërisë në përputhje me parimet e normat e Kartës së OKB-së dhe Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, si dhe të njihet e drejta e rikthimit në vatrat e saj për popuillsinë çame të shpërngulur”.

Selia e shoqatës u vendos fillimisht ku është sot ambasada italiane dhe më pas në rrugën e Kavajës. Logon e shoqatës e ideoi dhe e realizoi grafikisht piktori Gjin Varfi. Menjëherë në Tiranë dhe në rrethe filloi puna për ngritjen e seksioneve në lagje. Jo me pak kontribut kanë dhënë dhe rrethet. Në Vlorë: Fadil Zeqiri, Hajri Xhemali, Doktor Abdullai, Skënder Beqiri etj. Në Sarandë: Skënder Bajrami, Hekuran Halili, Nuredin Çapari, Nuredin Izeti,etj. Në Fier: Naim Dalipi, Agush Veliu etj. Në Durrës: Masar  Rushiti, Ismail Hamiti, Avdul Sulejmani, Adem Hyseni, Safet Cino etj. Në Delvinë: Fuat Omeri, Sami Maksuti, Vera Çeço. Në Konispol Ali Maliqi. Në Ksamil Luan Zeneli. Në Elbasan punoi me devotshmëri patrioti Daman Sinani dhe pedagogia Emine Sadiku. Në Lushnje Xhelo Zeqiri dhe Zenel Qeveri. Në Kavajë Hasan Tahiri. Në Shijak Subi Dino etj.

Nga fundi i muajit janar 1991, u zgjedhën drejtuesit e shoqatës. Abaz Dojaka u zgjodh kryetar (foto) dhe Arshin Rexha sekretar i përgjithshëm(foto). Më 28 mars 1991doli numri i parë i gazetës “Çamëria, nën drejtimin e Bashkim Kuçukut.

SH.P.A. ÇAMËRIA filloi veprimtarinë e saj duke i parashtruar Presidentit të Shqipërisë Ramiz Alia Problemin Çam si problem mbarëkombëtar dhe Kryeministrit grek Konstantin Miçotaqis që do vinte për vizitë në Shqiperi.
Delegacioni i nivelit të lartë grek erdhi për të testuar politikën shqiptare në prag të ndryshimeve të mëdha. SHP “Çamëria”, me këtë rast, riformuloi dhe bëri prezente kërkesat e saj të pandryshuara, që nga kongresi i parë i Shalësit, në fund të shtatorit 1944 dhe Kongresi  i Dytë Çam në Vlorë, shtator 1945.

Kryeministri Micotaqis, i pyetur nga gazetarët, deklaroi i nervozuar: “Problemi Çam nuk ekziston dhe për qeverinë greke konsiderohet i mbyllur”. Pas kësaj shoqata Çamëria fillon të rivendosë kontaktet e mohuara me institucionet dhe figurat më të larta politike në Tiranë.

Programi i saj u bë i njohur si brenda vendit, ashtu edhe jashtë, duke marrë pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.  Për të prezantuar problemin çam krerët e shoqatës u takuan me pjesën më të madhe të përfaqësive diplomatike në Tiranë, duke dëshmuar të vërtetat e hidhura, dëshmitë e shumta të tragjedisë çame.

Shoqata bëri thirrje për bashkimin e gjithë atdhetarëve çamë, për ndërgjegjësimin e atdhetarëve të vërtetë nga të gjitha trojet shqiptare.
Në qershor të vitit 1991 ish ministri i jashtëm shqiptar Muhamet Kapllani shtron në tryezën e bisedimeve për herë të parë zyrtarisht “Çështjen Çame”, si problem ekzistent në marrëdhëniet dy palëshe shqiptaro-greke. Ministri i Jashtëm grek Samaras detyrohet të deklarojë se: “Kjo çështje duhet studiuar në thellësi”.

Veç aktivitetit politik, sensibilizues dhe njohës, vijoi puna dhe për krijimin e ansamblit Çamëria, me artistët Bashkim Braho, Qani Biraçi, Agush Meleqi etj. Ansambli dha shfaqje në gjithë Shqipërinë dhe në Turqi, Kroaci, Spanjë, duke marrë dhe çmime të para.

Takimi i parë masiv i komunitetit çam u bë me rastin e 27 qershorit 1991, në Akademinë e Arteve, për të përkujtuar ditën e gjenocidit, ku u mbajtën referate nga Hasan Minga  dhe Nexhat Merxhushi.

Menjëherë filloi në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë për regjistrimin e popullsisë çame, në bazë seksionesh. Në Tiranë figuronin 29700 çamë, kurse në gjithë Shqipërinë 204 255 vetë.

Me ardhjen në fuqi të forcave demokratike, predispozicioni për çështjen çame duket se ndryshoi. Qeveria e parë Demokratike formuloi në programin e saj për politiken e jashtme edhe interesimin zyrtar për “Çështjen Çame”.  Nga ky moment kemi një konturim dhe një klimë të favorshme për ecurinë e “Çështjes Çame”.

Por në fakt nuk sollën atë që shpresonin çamët, zgjidhjen e problemit të tyre. Ishte e paharrueshme në këtë kohë deklarata e ish Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z.Uilliam Rajerson. Zoti Rajerson, i cili ndër të tjera  i bën thirrje qeverisë dhe shtetit grek që “t`u japin fund persekutimit politik të shqiptarëve të Çamërisë dhe t`u njohë atyre të drejtën e pronësisë…”. Greqia zyrtare protestoi dhe i kërkoi Përfaqësisë Amerikane në Athinë që të distancohej nga kjo deklaratë e ambasadorit në Tiranë.

Në 3 maj të po këtij viti, pa rënë akoma entuziazmi i fitores së forcave demokratike, fluturon përsëri për në Tiranë Kryeministri grek Konstatin Micotaqis. Shoqata Çamëria e priti me një demonstrate masive, që bëri jehonë në shtypin e vendit dhe të huaj.

Në pankarta kërkohej vetëm njohje e të drejtave të mohuara. Kjo atmosferë elektrizoi si bisedimet edhe konferencën e shtypit, ku gazetarët shqiptarë, por edhe grekë, përqendruan të tërë vëmendjen tek Çështja Çame. Kryeministri grek, i vënë para presioni të gazetarëve që donin me çdo kusht prononcimin e tij për Çamërinë, duke humbur qetësinë, deklaroi:
“ Bëra të qartë në të gjitha nivelet, deri tek Presidenti z.Berisha, se Greqia nuk do të pranojë kthimin e tyre në Greqi, për arsye të ndryshme që nuk mund t’i analizoj sot…Politika jonë mbështet tek ligjet për kriminelët e luftës“.
 

Nexhat Merxhushi, një tjetër themelues i shoqatës, pas kësaj deklarate, u shpreh:

Pyetja që duhet shtruar para të gjithë akuzuesve për kolaboracionizëm të shqiptarëve çamë është se si paskam qenë unë Nexhat Merxhushi 9 vjeç, apo Sali Bollati 7 vjeç,  vëllai i tij i pushkatuar 13 vjeç, apo motra 2 vjeçe bashkëpunëtorë me sulmuesit nazi-fashistë?! Pastaj, pse u ekzekutuan dhe ndoqën vetëm të gjithë çamët e besimit mysliman; pse nuk u hodhën në gjyq ku mudn të dëshmohej (pa)fajësia e tyre?!

Pasojat e masakrave të andartëve grekë ndaj minoritetit çam në Greqi ishin mjaft të rënda. Shifrat e shpërnguljes së popullsisë myslimane çame nga Çamëria, tashmë janë pranuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i refugjatëve çamë të shpërngulur me dhunë nga Greqia gjatë viteve 1944-45 është rreth 25 000 vetë.

Të masakruar dhe të humbur gjithsej rezultojnë 2 300 persona, të vdekur rrugëve gjatë largimit për në Shqipëri e zona të tjera numërohen rreth 2 400 vetë. U dogjën tërësisht dhe u shkatërruan mbi 61 fshatra shqiptare të Çamërisë, ku numri i shtëpive të djegura e të plaçkitura shkon në 5800. U rrëmbyen mbi 17 000 krerë bagëti dhe mbi 110 000 të tjera humbën, apo ngordhën.

Në shkurt 1993 kemi një kritikë të fortë adresuar Greqisë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Përfaqësuesit e SHP “Çamëria” morën pjesë në aktivitete ndërkombëtare, si ajo e samitit të KSBE-së në Moskë, për minoritetet (10 shtator 1991). Ky ishte aktiviteti i parë ndërkombëtar për njohjen dhe sensibilizimin e problemit çam. Një samit i dytë për minoritetet u bë në Varshavë, më 27 shtator 1993.

Ngjarje të rëndësishme ishin pjesëmarrja dhe anëtarësimin në UNPO në Konferencën e Hagës, më 23-24 janar 1995 si dhe anëtarësimi në FUEN, etj. Në këto aktivitete delegacioni çam bëri një punë të lavdërueshme të finalizuar dhe në rezoluta. Krerët e shoqatës u takuan me Komisionarin e Larte të KSBE-se për Minoritetet M.Van der Stoel, për të shprehur zërin e tyre para kësaj figure të lartë Evropiane. Ky takim u pasua nga një sërë aktivitetesh të mëvonshme.

Në bashkëpunim me deputetin çam në Parlamentin e parë pluralist, z. Abedin Elmazi, me kërkesën e shoqatës”Çamëria”, Parlamenti shqiptar, në unison të djathtë dhe të majtë, nën drejtimin e z. Pjetër Arbnori, në një seancë të veçantë (maj 1994), miratoi njëzëri datën e 27 Qershorit 1944, (me vendim nr.7839,dt.30.6.1994), duke shpallur zyrtarisht në Kalendarin Kombëtar si “ Dita e Gjenocidit të shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi Grek”. Kjo ishte një arritje dhe një shërbim i madh respekti për viktimat e rëna, duke e përjetësuar këtë datë në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën historike kombëtare të brezave të ardhshëm.

Unë isha 7 vjeç kur u zgjuam në mëngjes nga krisma e armëve, kujton Sali Bollati, nismëtar i Krijimit të Shoqatës Çamëria.

Fjalët e babait shumë të dashur, që na rriste dhe edukonte dhe rrëmbimin e tij kur neve qanim e bërtisnim, nuk mund t’i heq nga mendja as edhe sot. Babain bashkë me dhjetëra të tjerë të pafajshëm i pushkatuan në oborrin e shkollës në Paramithi… Zervistët hynë në dhomë dhe e rrëmbyen me forcë babain tonë duke mos e lenë as këpucët t’i mbathte.

Në vizitën e parë, në 2010 në vendlindjen time Paramithi, nuk gjeta asnjë varrezë tonën, meqenëse ishin shembur të 9 xhamijat bashkë me varrezat qindravjeçare të tyre, ndërsa varrezat masive të martirëve të Qershorit 1944 ishte betonuar dhe mbi të zhvilloheshin lodra basketbolli. Në gjithë Çamërinë mbas masakrave të tmerrshme u vranë dhe pushkatuan mbi 2900 njerëz të pafajshëm, kryesisht fëmijë e pleq, ndërsa rrugës së dimrit për në Shqipëri vdiqën edhe mbi 2000 të tjerë, këta varrosur në Plloçë. Pra nga rreth 30000 njerëz, mbi 5000 humbën jetën ose mbi 16% e popullsisë çame. Kohët e fundit në atë vend që partizanët na mirëpritën dhe na hipën në makinë është ngritur një përmendore si falënderim për mikpritjen e çamëve nga bashkatdhetarët tanë, vlonjatët e Dukatit.

Shoqata ka ripërsëritur kërkesën për ngritjen e varrezave dhe përmendores së kujtesës për të rënët në masakrat në Çamëri si dhe për partizanët e batalionit “Ali Demi”, por asnjë reagim.

Pas këtyre përpjekjeve serioze shteti shqiptar zbut qëndrimin dhe ul tonet politiko-diplomatike për çështjen çame. Gjatë vizitës së MJ grek Papulias në Tiranë, në mars 1995, nuk u trajtua direkt problemi çam, por shkarazi, vetëm aspekti i pasurive. 

Të dy ministrat udhëzuan ngritjen e Komisionit të Përbashkët dhe Nënkomisioneve në nivel ekspertësh, për të shqyrtuar problemet midis dy vendeve. Por edhe këto komisione nuk funksionuan. Çështja çame mori një goditje të rëndë, pas firmosjes për herë të parë të Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, më 21 mars 1996. Shteti grek bëri çmos për të fshehur problemet. Politika vendimmarrëse shqiptare dëshmohet jo unike në qëndrime në këtë moment delikat, duke e reduktuar Traktatin si një akt formal. E vetmja pikë reale dhe me vlerë afatgjate ishte përpilimi i Nenit 15, sipas variantit përfundimtar shqiptar, ku me shumë mundim u sanksionua detyrimi për njohjen e të drejtave pasurore. Ky nen i është imponuar në minutën e fundit ambasadës greke në Tirane në ecejaket e saj për të sqaruar se ç`farë kuptonte pala shqiptare me disa pika të draftit. Qeveria dhe shteti shqiptar e vlerësuan si arritje të Traktatit  Nenin 15 të tij, ku çështja çame  do të zgjidhej sipas këtij neni.

Viti i mbrapsht i 1997 i dha një goditje të rëndë edhe Çështjes Çame. Por aktiviteti i shoqatës nuk është ndalur asnjëherë edhe pas vitit ‘97. Nën drejtimin e z.Hilmi Saqes shoqata i drejtoi disa memorandume dhe promemorje organizmave ndërkombëtare. Zoti Saqe referoi në mbrojtje të çështjes çame edhe në samitin e Stambollit. Aktiviteti i shoqatës u intensifikua mjaft në kohën kur drejtonte  z. Servet Mehmeti.

Veprimtaritë kulmuan me paraqitjen e një Projektrezolute për çështjen came në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2004, por ende janë të freskëta kujtimet e hidhura dhe reperkursionet policore mbi anëtarët e shoqatës. Vetëm 9 vjet më vonë, me këmbënguljen dhe përpjekjet e deputetëve të PDIU-së, kjo rezolutë doli nga pluhuri i harresës dhe u botua në Fletoren Zyrtare.

Shoqata tashmë ka një bilanc të tërë aktivitetesh dhe arritjesh. Por një nga ngjarjet më të shënuara është krijimi partisë sonë PDIU, e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

 “Do të çojmë në vend amanetin, kthimin në Çamëri. Kjo është kauza e PDIU-së, deklaron z. Idrizi. Do kthejmë dinjitetin, për mijëra të dëbuar nga bandat e Napolon Zervës. Nuk mund të harrohet sakrifica e të gjitha figurave të shquara të Çamërisë, që kanë dhënë edhe jetën për vendin e tyre. Këtyre burrave dhe grave iu bashkuan shumë vetë, duke krijuar Shoqatën Çamëria. Duhet vendosur drejtësi për të dëbuarit. Dënimi i krimeve kundër njerëzimit vetëm vendos drejtësi. Është momenti për arritjen e qëllimit final, kthimin me të drejta të plota në vatrat tona stërgjyshore, në Çamërinë tonë martire. Dhe dita e rikthimit nuk do të vonojë…”

Zoti Idrizi dhe stafi i tij, do të vazhdojnë përpjekjet për të sensibilizuar SHBA-të dhe BE-në, si miqtë dhe aletët tanë më të mirë strategjikë, për arritjen e qëllimit final, kthimin me të drejta të plota në vatrat stërgjyshore.

Në vitin 2012 nisi ndërtimi i Varrezave të Kllogjerit dhe përfunduan në vitin 2013.

Në 4 nëntor 2013 shoqata Çamëria, e drejtuar me përkushtim nga Ardian Tana,  priti me protestë presidentin grek Karolos Papulias.

Në 11 korrik 2014 PDIU i kërkoi komisionit të posaçëm të reformës territoriale krijimin e një bashkie të re, Konispolin, duke i bashkangjitur komunat Xarrë dhe Markat, ku dominon popullsia çame.

Në korrik 2016 në një ceremoni solemne mbajtur në Institucionin e Presidentit të Republikës,  Kreu i Shtetit,  Bujar Nishani vlerësoi me rastin e 25-vjetorit të krijimit të saj Shoqatën Patriotike “Çamëria” me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”:“Në shenjë vlerësimi për kontributin e vyer e të pamohueshëm dhënë ndaj çështjes çame, si dhe për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe nxjerrjen më në pah të vlerave kulturore dhe etnografike të kësaj bashkësie të rrallë shqiptare me histori sa të lashtë, aq edhe të lavdishme”.

Në 21 janar 2018 gjatë vizitës së ministrit Kotzias, aktiviste te shoqatës “Çamëria”, dhe përfaqësues te Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet protestuan para ambienteve te Ministrisë se Jashtme.

Me pankarta ne duar, ku shkruhej ‘respekt për të rënët çamë’ dhe ‘Çamëria është gjallë’, protestuesit i bene thirrje qeverise te ndale ndërtimin e varrezave greke ne Shqipëri. Sipas kreut te PDIU-se Shpëtim Idrizi, kjo nisme duhet te shoqërohet nga reciprociteti.

Sipas çamëve  edhe ne Greqi  duhet te  ndërtohen varreza te ngjashme, pasi janë masakruar çamet nga shteti grek i i kohës.

Në 24 shkurt 2018 Shoqata organizoi nje proteste para ambasadës greke ku kanë kërkuar transparencë për marrëveshjen Shqipëri-Greqi dhe që askush të mos fshijë emrin ‘Çamëri’ nga tekstet shkollore.

Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi ka theksuar se Çamëria nuk negociohet me Greqinë dhe sipas tij, “S’ka lindur sot burre e grua qe ta heqe apo ti shkoje ne mendje te heqe emrin e Camerise”.

Në 18 qershor 2018 në kuadër të javës çame, PDIU dhe shoqata ‘Çamëria’ kanë dekoruar ish-presidentët Bujar Nishani, Alfred Moisiu si dhe ish kreun e OSBE-së Ricardo Migliori për kontributin që kanë dhënë për çështjen çame. 

Në 13 korrik 2018  Shoqata “Çamëria”  ka reaguar mbi marrëveshjen e toponimeve, duke u kërkuar autoriteteve që  personave që kanë lindur në Çamëri, t’u kthehet çdo e drejtë dhe të mos privohen nga të drejtat minimale.

Në 20 tetor 2020 PDIU dhe Shoqata  pritën me protesta ministrin e jashtëm grek, Nikos Dendias, ku u arrestua nga uniformat blu  dhe u vunë në hetim 18 persona, mes tyre organizatorët Shpëtim Idrizi, Mesila Doda.

Gjatë vitit 2020 Shoqata , PDIU dhe Fondacioni “Hasan Tahsini” kanë dhënë ndihma ushqimore për qindra familje dhe kanë ndihmuar çdo të moshuar dhe familje çame dhe jo vetëm, që në këto kohë të vështira kanë pamundësi ekonomike dhe kanë më shumë se kurrë nevojë për ne. Nisma “ÇAMËRIA NUK HARRON” është thirrje për të gjithë.

Ndërkohë që botimi periodik i gazetës “Çamëria” shërben për mbajtjen gjallë të kauzës, Shoqata ka promovuar publicistë dhe shkrimtarë çame, dhe jo vetëm, për të vazhduar ndërgjegjësimin. Protagonistë të ngjarjeve dhe historianë si: Ibrahim Hoxha, Nexhat Merxhushi, Hasan Minga, Petrit Demi, Prof.Dr. Selman Sheme, Prof.Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Beqir Meta, Prof. Dr. Irakli Koçollari, Prof.Dr.Kaliopi Naska, Sherif Delvina, Laurant Bica e ndonjë tjetër më të ri si Arben llalla apo Lorenc Agalliu.

Po ashtu, rëndë i kushtohet promovimit të trashëgimisë përmes anëtarësisë në SHoqatë të brezit të ri që nuk ka lindur në Çamëri.

Marrëdhëniet shqiptaro-greke në 30 vitet e fundit kanë qenë jo reciproke por skllavëruese e robëruese për Shqipërinë dhe shqiptarët. Greqia mban aktualisht me fanatizëm në fuqi Ligjin mizor të Luftes racisto-fashiste të vitit 1940, kur Shqiperia ishte e pushtuar nga Italia.

Sot Greqia ndalon rreptësisht të shkojnë në shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe të grabitura me gjithë pronat, përfshirë dhe varret masive të gjenocidit grek ndaj çamëve, qytetarë grekë, vetëm se janë me kombësi shqiptare.

Ndërkohë ka pretendime tokësore dhe detare që po i shantazhon me dekrete të çmendura: tokën për varreza, detin për pasurite biologjike dhe energjetike. Në këtë agresion të hapur ka aleate edhe qeverinë shqiptare, e cila e ka hequr nga agjenda çeshtjen came.

Kështu qeveritarët grekë e kanë më të lehtë për ta mohuar. Për ta njëherë Çështja Çame konsiderohet jo-ekzistente, apo e mbyllur, një herë tjetër që mund të diskutohet vetëm aspekti i pronësisë, etj, etj. Qëndrime apo taktika të tilla duket se po e vështirësojnë trajtimin e problemit në të ardhmen, por në anën tjetër këto pozicionime implikojnë në të njëjtën kohë edhe më keq shtetin e sotëm grek, si bashkëfajtor në fshehjen e krimit që ka ndodhur.

Siç shkruan shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare :“ÇAMËRIA NUK ËSHTË NJË FANTAZMË QË NGRIHET PËR TË ERRËSUAR MIQËSINË MIDIS GREKËVE DHE SHQIPTARËVE, PËRKUNDRAZI, KUR POPUJT LEHTËSOJNË NDËRGJEGJEN E TYRE NGA PESHAT E VJETRA, ATA AFROHEN MË SHUMË DHE E DUAN MË SHUMË NJERI- TJETRIN”.