PDIU nënshkruan marrëveshjen me opozitën e bashkuar

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka nënshkruar marrëveshjen me opozitën e bashkuar. Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Të pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes nga PDIU ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së znj.Mesila Doda, kryetari i Shoqatës “Çamëria” Dritan Sejko, si dhe nga Partia Demokratike, nënkryetari i PD-së Edmond Spaho dhe deputetja Albana Vokshi.

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se nga sot PDIU i bashkohet opozitës së bashkuar.
“PDIU deri më sot ka qenë në opozitë e vetme, ndërsa sot u bashkua me opozitën e bashkuar. Përballë një mazhoranze arrogante, një ekonomie pa busull që nuk orientohet nga prodhimi, përballë një kriminaliteti në rritje, trafiqeve dhe ajo që është më e rënda, braktisjes së vendit nga shqiptarët, ne kemi nevojë të kemi një opozitë të fortë. Një opozitë, e cila mos të jetë vetëm reflektive karshi pushtetit, por ka ardhur koha që kjo opozitë të ketë alternativën e saj që të ndahemi përfundmisht nga ky tranzicion i tejzgjatur, të vendosim shtetin ligjor dhe t’u japim shpresë shqiptarëve. Një nga gjërat që kemi ndarë si prioritet të PDIU-së, është trajtimi i çështjes së shqiptarëve të Çamërisë në përputhje me konventat ndërkombëtare. E kam theksuar gjatë diskutimeve me zotin Basha, jashtë folkorizmit dhe retorikës boshe, sepse kjo ka bërë që Çështja Çame të jetë një çështje e përdoruar deri më sot, që ne të angazhohemi të dy për t’i dhënë zgjidhje të drejtë, racionale dhe të shpejtë çështjes Çame, në dimensionin historik, të nderimit të viktimave të një genocidi të tmerrshëm, por edhe eksplorimin e të gjithë rrugëve diplomatike dhe juridike për zgjidhjet pronësore për shqiptarët e Çamërisë”, – tha z.Idrizi.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se PD ka qenë dhe mbetet i angazhuar për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë.
“I uroj mirëserdhjen PDIU-së. PD dhe opozita e bashkuar kanë një mision jetik për shqiptarët, të largojmë një orë e më parë aleancën e pushtetit me krimin. PD ka qenë dhe mbetet e angazhuar për shqiptarët e Çamërisë, në dimensionin e garantimit të lëvizjes së lirë për shqiptarët e Çamerisë dhe garantimin e pronës. Pozita është në frontin më të gjerë. Është konkluduar me sukses marrëveshjen me PDIU-në. Opozita është më e fortë me bashkimin e gjithë aktorëve. Pas takimit me PDIU-në ne i shërbejmë interesit të qytetarëve. Opozita e bashkuar ka sot një mision jetik për çdo familje shqiptare. Të largomë një orë e më parë aleancën e pushtetit me krimin që ka zaptuar institucionet dhe të çlirojmë vendin nga synimi i bandave. Të ofrojmë mundësi për të gjithë përmes parimeve dhe lirisë së sipërmarrjes. Bashkëpunim ynë do shtrihet në të gjitha fushat, më tepër shkëputjen e krimit nga politika. PD ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Do garantojmë të drejtët e pronës për të gjithë shqiptarët e Çamërisë”, – tha kreu i PD-së Lulzim Basha.

Disa nga pikat e marrëveshjes janë:

PD dhe PDIU angazhohen për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë në të gjitha dimensionet e saj.

Rikthimin e normalitetit politik e institucional në vend, duke krijuar kushtet për ndarjen e politikës nga krimi, që po rrënon çdo standart demokracie në vend.

PD dhe PDIU angazhohen për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore me qëllim rikthimin urgjent të normalitetit në vend dhe ndarjen e sistemit politik nga fenomeni i blerjes së votës dhe manipulimit të saj.

Të RejatPDIU nënshkruan marrëveshjen me opozitën e bashkuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *