PDIU dhe Shoqata Çamëria pelegrinazh në Varrezat e Kllogjerit

 

PDIU dhe Shoqata Çamëria kanë bërë homazhe në Varrezat e
Kllogjerit në Konispol. Në këtë vend më shumë se 2900
shqiptarë të Çamërisë kanë humbur jetën pasi u dëbuan me
dhunë nga trojet e tyre në Çamëri. Mijëra shqiptarë udhëtuan
drejt Varrezave të Kllogjerit në Konispol, për të marrë pjesë në
këtë pelegrinazh, me rastin e 74-vjetorit të genocidit grek, mbi
shqiptarët e Çamërisë.

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, tha se të parët nuk harrohen
dhe se çështja çame zgjidhet nëse në tavolinën e bisedimeve do
të jenë PDIU dhe Shoqata Çamëria.

“Sovraniteti Kombëtar, Çamëria e identiteti kombëtar nuk
negociohen, por zgjidhen me reciprocitet e dinjitet. Që të
zgjidhet çështja çame duhet të jenë në tryezë vetë çamët,
Shoqata “Çamëria” e PDIU, se na është dashur t’ju mesonim
dhe historinë e Çamërisë, ngaqë nuk e kishit haberin… e pastaj
do ta gjeni dhe forcën dhe argumentin. Po si është e mundur që
këta politikanë që i vërsulen njëri-tjetrit si të dehur nga hashashi
e pushteti, shburrërohen e të mbesin në dorë, kur ulen me
grekun… Kështu duan të na e vrasin xhixhon dhe nunë, duke ju
harruar emrin! Por, pse mund të harrohen të rënët tanë që vijmë i
takojmë përvit këtu në Kllogjer!”, tha z.Idrizi.

Kryetari i PDIU theksoi se do të ketë një program të ri që do i
drejtohet institucioneve, për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve
të Çamërisë.
“Ja ku po ju them se tradhëtinë e nënshtrimin e radhës të shtetit
shqiptar ndaj fqinjit, do i përgjigjemi vetëm me një kryefjalë dhe
kusht të vetëm për bashkëpunim; një program të përbashkët, ku
zyrtarisht të kërkohet nga shteti shqiptar zgjidhja e kësaj çështje
pranë insitucioneve të së drejtës Europiane. Ky është premtimi
im, por vetëm bashkë me ju do mundim t’ia dalim”, u shpreh
kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Z.Idrizi bëri me dije se askush nuk do të bëjë të mundur
harrimin e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

“Vetëm një mundësi keni që ta bëni Çamërinë të harrohet, një
dhe vetëm një; të na zhdukni nga faqja e dheut të gjithë ne
çamët! Pastaj të zhdukni fizikisht të gjithë patriotët e Shqipërisë,
Kosovës, Diasporës! Nëse na e merrni jetën të tërëve, po keni
për t’ia dalë. Por, sa kohë të jenë këto gurë varri, sa kohë të jemi
ne gjallë që lutemi dhe kujtojmë shpirtrat e të parëve tanë, kurrë
nuk do të na bëni ta harrojmë Çamërinë! Ja pra, ku jemi edhe sot
para një marrëveshje dhe prapë kanë heshtur, kanë qepur gojën.
Prandaj, shumë kush mund të thotë: Si do t’ia bëjmë? Sot, po ju
them, që vetëm një përgjigje kemi: Të çohemi në këmbë!

Ndërkohë Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, znj. Mesila
Doda, tha se ata që kanë kujtuar se na kanë gjunjëzuar, e kanë
marrë përgjigjen.
“Kanë kujtuar se na kanë vrarë. Kanë kujtuar se na kanë
gjunjëzuar. Kanë kujtuar se PDIU nuk ekziston më, por ja ku
jemi, me qindra dhe me mijëra, jemi prap në këmbë. Askush nuk
mund ta zhdukë çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, dëshiron
apo jo Kryeministri i Shqipërisë, dëshirojnë apo jo tradhëtarë të
tjerë të Athinës. Jemi këtu, do jemi shumë më tepër pas çdo
viti”, – tha Mesila Doda.

Presidenti i Nderit i PDIU-së Tahir Muhedini, tha se nuk kanë
qënë çamët bashkëpuntorë të nazizmit, por vet grekët.

“Ne jemi këtu për të respektuar të parët tanë, për ti thënë shtetit
grek, mjaft më me manipulime të historisë në kancelaritë e
Europës dhe në SHBA, se çamët janë bashkëpuntorë të nazizmit.
Nuk janë çamët bashkëpuntorë të nazizmit. Politika greke e ka të
qartë se në mes të Athinës, historianët grek e kanë pranuar që
bashkëpuntorët të nazizmit kanë qënë vet grekët”, – tha Tahir
Muhedini.

Në pelegrinazhin e përvitshëm në varrezat e Kllogjerit morën
pjesë edhe Aqif Rakipi, kryetari i Shoqatës Çamëria Dritan
Sejko, kryetari i Shoqatës Çamëria në Kosovë Nexhmi Muqiqi,
deputetë të Kuvendit, si dhe përfaqësues të partive politike në
Kosovë.

Të RejatPDIU dhe Shoqata Çamëria pelegrinazh në Varrezat e Kllogjerit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *