PDIU: Të hiqet tarifa prej 5 euro për autoveturat dhe 22 euro për kamionët në “Rrugën e Kombit”

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet po ndjek me vëmendje dhe shqetësim situatën e krijuar në vend pas vendimit të pakonsultuar e arrogant për vendosjen e një tarife të papërballueshme për “Rrugën e Kombit”.
PDIU vëren me shqetësim përshkallëzimin dhe rëndimin e situatës dhe i bën thirrje maxhorancës:
1. Të heqë tarifën prej 5 euro për autoveturat dhe 22 euro për kamionët në “Rrugën e Kombit”.
“Rruga e Kombit” nuk është biznes, por arteria kryesore që lidh dy pjesët e një kombi që padrejtësitë historike i ndanë, por që ne s’mund ti ndajmë akoma me politika të tilla, kur qytetarët e Shqipërisë paguajnë disa herë për rruget nëpërmjet pagesës së Taksës së Qarkullimit, Taks-Regjistrimi dhe Akcizë mbi karburantet. Kjo tarifë do të godiste atë që kemi më shumë nevojë rritjen e shkëmbimeve tregtare me Kosovën, ku shkëmbimet e Shqipërisë me Kosovën janë rreth 140 milion euro në vit kurse të Kosovës me Serbinë janë mbi 460 milion euro në vit.
Kjo tarifë do të godiste rëndë turizmin e shqiptarëve të Kosovës i cili sjell vitalizim dhe rritje të ekonomisë Shqiptare.
Ky është një hap tjetër në vazhdën e pengesave që krijojmë me Kosovën, si barriera e tarifave doganore apo kriza qesharake për patatet, çimento apo specat dhe i gjithë ky absurd ndodh kur folklorizmi patriotik i pushtetarëve bërtet për Bashkim Kombëtar.
2. Për rrugët kombëtare duhet të vendoset një tarifë e arsyeshme në përputhje me nivelin e të ardhurave të Shqiptarëve.
Për PDIU-në, “Rruga e Kombit” dhe “Rruga e Arbërit” DUHET TË JENË PA PAGESË.
Këto janë dy arterie që lidhin Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.
Por po kaq të rëndsishme janë këto dy arterie për Qarkun e Kukësit dhe Dibrës, si dy nga qarqet më të varfëra të vendit dhe të pa integruara në ekonominë e vendit.

3. PDIU shpreh mbështetjen dhe respektin për banorët e Kukësit që i dhanë leksion klasës politike Shqiptare dhe opinionit publik, sepse qytetarët kanë të drejtë të reagojne kur arroganca e kësaj maxhorance as nuk i pyet e as nuk i informon.
PDIU kërkon lirimin e 11 protestuesve nëpërmjet heqjes se intimidimit që maxhoranca po i ben Prokurorisë e Gjykatës, me rrethime Policore dhe urdhra politike.
Këta njerëz janë minimalisht siç e pranon dhe Kryeministri, viktima të mosinformimit nga qeveria të një vendimi aspak profesional e transparent.

PDIU i bën thirrje klasës politike shqiptare për një pakt kombëtar e dakortësi të munguar në këtë tranzicion të gjatë për:
– Integrimin europian me një axhendë të dakortësuar nga të gjithë.
-Implementimin e reformës në drejtësi ku politka duhet ti mbajë duart larg.

-Për një ligj të ri për referendumet, që do ti mundësonte qytetarëve të ushtronin demokracinë direkte e të vendosnin për taksat, ambientin, planet urbane etj.
Kjo do të ishte e vetmja zgjidhje në kushtet kur demokracia me përfaqësim nuk është funksionale dhe është ozurpuar nga kryetarët e partive.
-Për reformën elektorale që mbahet peng nga dy partitë e medha.

Të RejatPDIU: Të hiqet tarifa prej 5 euro për autoveturat dhe 22 euro për kamionët në “Rrugën e Kombit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *