PDIU takim në Lezhë, Idrizi: Një problem shumë i madh është punësimi i të rinjve, pasi partitë politike nuk kanë program

 


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim në Lezhë për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, si dhe kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Shkodrës, Zef Doçi.
Kryetari i PDIU-së tha se problem në Shqipëri mbetet punësimi i të rinjëve, pasi sipas tij, partitë politike nuk kanë program, ndërkohë që PDIU e ka prezantuar tashmë programin e saj.

“Një problem shumë i madh është punësimi i të rinjve, sigurisht në një vend me pasiguri ekonomike, pa reforma, ne do të shohim atë që kemi parë përditë. Është i vetmi vend në botë që njerëzit nuk duan të punësohen në sektorin privat, por duan akoma që të shkojnë në shtet. Pse? Akoma pas 27 vjetësh shteti ngelet punësuesi më i madh dhe i benefiteve më të mëdha. Sepse partitë politike në Shqipëri nuk dallohen nga programi. Nuk di ndonjë parti që të ketë një program të djathtë e të flasë për taksat e ulëta, e të vijë në pushtet dhe pikërisht të mbajë këto premtime, apo një parti të majtë që flet për shtetin social dhe të mbaj këtë premtim. Jo! Këta kur vijnë në pushtet bëjnë sjellje të djathtë dhe gjuajnë me të majtën. Vijnë në pushtet si të majtë dhe gjuajnë me të djathtën. Njëherë në katër vjet apo në 8 vjet heqin ca shqiptarë, për të futur në punë ca shqiptarë të tjerë. Kjo na ka sjellë ne në këtë tranzicion të tejzgjatur. Ne duhet ti japim fund kësaj gangrene, duke i kthyer sytë nga ekonomia”, – tha z.Idrizi gjatë takimit me përkrahës në qytetin e Lezhës.


Shpëtim Idrizi u kërkoi shqiptarëve që të votojnë PDIU-në në 25 qershor, partinë e cila ka trimëruar politikën shqiptare.


“Na ka ndarë politika në të majtë e të djathtë. Boll na ka ndarë pabarazia, fukarallëku, padrejtësia. E kjo është arsyeja, që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është një parti që i fton të gjithë shqiptarët që të jenë bashkë. Me paradigmën e kombëtarizmit, të atdhedashurisë, të dinjitetit dhe integritetit tonë kombëtar, sepse ne jemi të gjithë shqiptarë që besojmë në Zot, që besojmë në komb, që besojmë në pronë, që besojmë në flamur, e që kemi një gjuhë e një Atdhe. Në 25 qershor duhet të bëjmë ndryshimin duke votuar Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, duke votuar numrin 13, duke votuar Zef Doçin. Unë jam shumë i lumtur që të paraqes Zef Doçin dhe gjithë listën e kandidatëve tanë. Ne nuk kemi importuar kandidatë për deputetë, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse unë e di që ju vijnë kandidatë për deputetë që bëjnë fushatën dhe pastaj ju kthejnë shpinën”,- tha Shpëtim Idrizi.


Kryetari i PDIU-së u shpreh se pas 27 vjetësh fati i shqiptarëve, nuk mund të varet nga 2-3 persona.
“Ju nuk do të dilni të votoni në 25 qershor se kush do të marrë karrigen e radhës. Ju nuk do të votoni më 25 qershor se kush do të marrë tavën e radhës. Këto zgjedhje janë shumë serioze. Shqiptarët meritojnë një fushatë shumë më serioze. Sepse 27 vjet tranzicion i kanë lodhur. Kjo është një fushatë që ju me votën tuaj do të zgjidhni se kush do t’ju drejtojë katër vitet e ardhshme, se kujt do t’ja lini në dorë fatet tuaja. Unë e di që për 27 vjet ju ja keni lënë në dorë dy apo tre personave dhe e keni parë se ku keni përfunduar. Kjo është arsyeja se përse unë ju them besojani votën tuaj një partie kombëtariste, e bazuar mbi interesin kombëtar dhe qytetar”, – theksoi Shpëtim Idrizi.
Ndërsa kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Shkodrës, Zef Doçi, tha se: “Qytetarët e Lezhës do ti besojnë PDIU-së mandatin e deputetit në Parlamentin e Shqipërisë. Kjo për faktin se gjatë gjithë këtyre viteve, në Lezhë nuk janë zgjedhur deputetë ata që banojnë çdo ditë këtu, por ata që vijnë nga Tirana apo zona të tjera. Unë ju ftoj të votoni PDIU-në, pasi është partia që u qëndron pranë njerëzve”.

 

Të RejatPDIU takim në Lezhë, Idrizi: Një problem shumë i madh është punësimi i të rinjve, pasi partitë politike nuk kanë program

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *