Shpëtim Idrizi: PDIU do të jetë surpriza e zgjedhjeve në 25 qershor

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim në Shkodër për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, si dhe kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Shkdrës, Sait Fishta.

Z.Idrizi u shpreh se PDIU do të jetë surpriza e zgjedhjeve në 25 qershor dhe surpriza sipas tij do të jetë edhe në Shkodër.

“Ne do të jemi pranë maxhorancave në pushtet, pikërisht për ato forca politike që i bashkohen kauzave kombëtariste. Vazhdimisht kam thënë që është edhe një qyetet që ne do të bëjmë surpriza. E unë jam i bindur që Dibrës, Tiranës, Vlorës, Fierit, Durrësit, Korçës, Elbasanit, do t’i bashkohet edhe fitorja jonë në Shkodër, që do të jetë diamant në atë fitore të madhe të PDIU-së, të burrave e grave që ju do t’i mbani mend gjatë në Parlamentin e Shqipërisë”, – tha Shpëtim Idrizi gjatë takimit me përkrahës në Shkodër.

Kryetari i PDIU-së theksoi se në Shqipëri ekziston prej vitesh pluralizmi dhe pushteti nuk mund të përqëndrohet në dy apo tre duar.

“Keni parë këto kohë që dikush ka harruar se ka ardhur pluralizmi dhe beson që mund ta drejtojë këtë vend në dy apo tre duar. Ata që luftuan kundra pushtetit absolut të mbretit, luftuan pikërisht për të pasur shumë më tepër pushtete, shumë më tepër njerëz në vendimarrje. Kjo është arsyeja që unë them, ruajna Zot nga pushteti i dy-tre personave, nga pushteti i të marrëve dhe atyre që duan dhe kanë bërë që shqiptarët të largohen nga ky vend. Kjo është arsyeja që ne themi në moton tonë se kemi “Veç një Atdhe”. Ne kemi “Veç një Atdhe” për të gjithë ata që duan ta lenë këtë vend, kemi veç një Atdhe për të gjithë ata shqiptarë dhe të rinj që u është vrarë shpresa”,- u shpreh  kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Shpëtim Idrizi u bëri apel shkodranëve që të votojnë PDIU-në dhe të mbështetin Sait Fishtën.

“Votoni PDIU-në, votoni numrin 13, për t’i dhënë mundësi vëllait tonë Sait Fishtës, që të jetë në Parlamentin e Shqipërisë. Ai do të kishte mundësi nëpërmjet forcës tuaj, nëpërmjet votës tuaj  që të ketë një përfaqësim më të madh, më të fuqishëm dhe të ngrinte zërin për Shkodrën”, – tha kryetari i PDIU-së.

Ndërsa kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Shkodrës Sait Fishta, tha se: “Shkodra do të mbështesë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në gjithë këto vite shkodranët i kanë besuar partive tradicionale, ndërsa sot ka ardhur koha që të votojnë për ata persona që u qëndrojnë pranë dhe u zgjidhin hallet. Kjo është arsyeja pse PDIU do të ketë deputetin e saj në Parlamentin e Shqipërisë, nga qarku i Shkodrës”.

 

Të RejatShpëtim Idrizi: PDIU do të jetë surpriza e zgjedhjeve në 25 qershor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *