Shpëtim Idrizi: Uragani i fitores së PDIU-së, nis nga Tirana

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim madhështor me anëtarë dhe përkrahës të qytetit të Tiranës, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Në këtë takim mori pjesë kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi si dhe kandidatët për deputet të qarkut të Tiranës.

 Shpëtim Idrizi u shpreh se uragani i fitores do të nisë nga Tirana.

 “Këtu nga Tirana do të shpërndahet në 25 qershor kudo në Shqipëri lajmi i mirë se PDIU në këtë qark do të fitojë shumë më tepër deputetë. Prej këndej do të shenjohet fitorja e madhe e PDIU-së, e cila në korsinë e saj do të shembë të gjitha paragjykimet. Jam i bindur që në këto zgjedhje do të dyfishojmë mandatet tona, por kjo nuk është bindje që krijohet në sondazhe apo biseda kafenesh. Jo, është një bindje e plotë që të krijohet, tek takon njerëzit, tek i sheh ata në sy, kur dallon tek ata dëshirën për të fituar, dëshirë që vjen nga mirëkuptimi, sepse të gjithë tashmë e dine që ne kemi Veç një Atdhe!”, – tha kryetari i PDIU-së. 

Z.Idrizi theksoi se ka qënë PDIU ajo që ka trimëruar politikën shqiptare dhe ka marrë në dorë fatin e shqiptarëve të Çamërisë.

“Çështjen Çame politika shqiptare e mbante si çamçakëz në gojë nga frika greke, ndaj u deshën energjitë tona që historia të ndërronte kah. Deri para 13 viteve ne ja lamë fatin e çamëve partive të tjera, megjithëse Shoqata “Çamëria” është organizata e dytë e krijuar në pluralizmin e brishtë shqiptar. Por, ne e pamë sa vështirë e pati politika shqiptare, qoftë dhe për ta përmendur Çështjen Çame. Ua lamë partive të tjera deri në vitin 2004, kur Shoqata “Çamëria” kërkoi një rezolutë në Parlament dhe përfunduan duke u rrahur sikur të ishin në Parlamentin e Serbisë apo Greqisë. Kauza jonë e drejtë është kauzë e të gjithë shqiptarëve. Kjo tashmë është kuptuar qartë, prandaj uragani ynë i fitores nis nga kryeqendra e shqiptarisë, Tirana. Këtu mandatet tona do të jenë shumë, sepse ne kemi Veç një Atdhe! Pllaka e Çamërisë në sheshin “Skënderbej” të shtunën bëri të largohej grupi i Dropullit. As tani nuk e kuptoj përse, por i them grekofonëve se ne atë pllakë do ta marrim nga sheshi e do ta çojmë aty ku e ka vendin, në Çamëri. Ne s’kemi qenë kundër kërkujt, madje me minoritarët kemi qenë dhe do të jemi në paqe përherë”, – tha Shpëtim Idrizi.

 Kryetari i PDIU-së foli edhe për disa nga sondazhet që janë bërë kohët e fundit.

 “Dua t’ju pyes nëse i ka rënë ndonjëri celulari, sepse janë ata të sondazheve që nuk na shohin. Ja ku jemi, kaq shumë, kaq të fortë në të gjithë Shqipërinë. Ne nuk ka “Call-Center” që na mban, nuk ka sallë që na mban, sepse jemi me shqiptarët që besojmë në Zot dhe që mendojmë se kemi “Veç një Atdhe”,- theksoi z.Idrizi.

Kryetari i PDIU-së gjatë takimit me përkrahës në Tiranë, tha se shqiptarëve duhet t’ju rikthehet shpresa, në mënyrë që të mos largohen jashtë shtetit.

“Ne e shohim që shqiptarët po ikin përditë, 53 % duan ta braktisin këtë vend dhe ky vend po shpopullohet. Shqiptarët po ikin e kjo duhet të ndryshojë, sado që të jetë çmimi duhet të ndryshojë. Nuk e meriton shqiptari, toskë a gegë që të mbetet ardhacak kurdoherë në tokë të huaj. Politika duhet ta nisë korigjimin nga vetja. Ne kemi detyrimin të bëjmë reforma, por së pari politika të shoh deformimin e saj, e pastaj të ketë mundësi të bëjë reforma për shqiptarët”, – u shpreh kryetari i PDIU-së.

Ndërsa deputetja Mesila Doda tha se duhet të largohen politikanët që nuk i përfaqësojnë më njerëzit.

“Kjo klasë politike, këto politikanë drejtues e që kanë marrë votbesimin 27 vjet rresht nuk i përfaqësojnë më njerëzit. Këta drejtues që hedhin batuta e tregojnë barcaleta, këta që shesin e blejnë sakrificat njerëzore si matrapazë shpirtrash, duhet të ikin. Ky realitet duhet të ndryshojë. Ky vend ka nevojë për ndryshim, dhe ne ju afrojmë ndryshimin. Kur ne flasim për Atdheun, për Shqipërinë e shqiptarët bashkë është sepse kjo dhe vetëm kjo është e vetmja rrugë për tu zhvilluar e mbijetuar. Në nuk kemi retorikë e patetizëm, por pragmatizëm e nacionalizëm modern që nis nga një ekonomi e fortë dhe e zhvilluar e shkon tek një shkollim, një formim, një kuadër ligjor të përbashkët sepse shqiptarët janë e duhet të jenë bashkë e më të bashkuar se kurrë”,- tha znj.Mesila Doda. 

 

Të RejatShpëtim Idrizi: Uragani i fitores së PDIU-së, nis nga Tirana

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *