PDIU takim me banorë të Njësisë nr.3 në Tiranë, Idrizi: Të mbështetet biznesi që të rritet punësimi dhe zhvillimi ekonomik

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me banorë të njësisë nr.3 në Tiranë, për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, si dhe kandidatët për deputet në qarkun e Tiranës, Arjan Hamiti e Alfred Deshati.

Z.Idrizi u shpreh se duhet të mbështetet biznesi, në mënyrë që të rritet punësimi dhe zhvillimi ekonomik.

“Sistemi ynë fiskal vazhdon të jetë një sistem i deformuar, është një sistem etatist. Sistemi fiskal nuk është gjobë për biznesin, nuk është që të marrin taksidarët aq sa i duhet për shtetin. Jo. Sistemi fiskal është një instrument ekonomik në duart e shtetit shqiptar në radhë të parë për të mbështetur biznesin dhe për të bërë politika ekonomike. Por çfarë ndodh sot? Taksidarët vijnë në dyert e kujt? Tek ata njerëz që punojnë çdo ditë, njerëz të cilët rropaten për të bërë biznes, për të siguruar bukën e tyre, për të punësuar të rinjtë dhe prandaj ky sistem fiskal i deformuar nuk mund të jetë armiku i tyre. Sepse taksat janë kontribut për shoqërinë dhe duhen mbështetur me politika të gjithë ata që me punë të ndershme, me biznesin e tyre jetojnë përditë, e punësojnë njerëz. Ky këndvështrim etatist karshi biznesit është një ndër gabimet më të mëdha që bëhet. Në çdo vend të botës është biznesi, ekonomia e tregut qw sjell rritjen e punësimit. Jemi në demokraci dhe vetën ekonomia e tregut, biznesi, njerëzit e respektuar të punës, janë ata që do ta zhvillojnë këtë vend. Ne jemi krah biznesit, për një sistem fiskal shumë më të drejtë, për një sistem fiskal i cili stimulon ekonominë, por edhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në këtë mënyrë mund të rritet edhe numri i të punësuarve”, – tha Shpëtim Idrizi gjatë takimit me qytetarë të njësisë nr.3 në Tiranë.

Kryetari i PDIU-së iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë nr.13.

“Ne s’kemi pasur pushtet, por ju e dini shumë mirë që ne kemi mbrojtur kauza të mëdha. Kauza të cilat i kanë bërë nder këtij vendi dhe që janë kauza kombëtariste. Për këtë arsye unë ju them juve, të gjithë qytetarëve të Njësisë nr. 3 dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, që të votoni për PDIU-në, të votoni partinë tonë, votoni nr.13, sepse ne i përbashkojmë shqiptarët edhe me sloganin tonë kemi “Veç një Atdhe”. Ne kemi “Veç një Atdhe” për të gjithë ata që për shkak të zhgënjimit dhe mungesës së shpresës duan të largohen nga ky vend, për të gjithë ata që nuk e gjejnë veten në tregun e dijes dhe të punës. Ne kemi veç një Atdhe, që nuk mund t’jua lemë dot të marrëve, atyre që kanë vjedhur e shkatërruar në 27 vjet. Partia Drejtësi, Itegrim dhe Unitet nuk është një parti tradicionale, nga këto partitë që u krijuan si trashëgimi e dikujt apo një parti tjetër që u bë anti dikujt. Partia jonë është një parti që ekziston në politikën shqiptare për shkak të një kauze përbashkuese shqiptare. Ka filluar si një kauzë familjare, personale, komunitare për të vënë drejtësi për shqiptarët e Çamërisë, por është është bërë një parti e të gjithë shqiptarëve nga Tropoja, Dibra, Kukësi, Lezha, Shkodra  e deri në Konispol me shqiptarë që na bashkohen përditë. Na bashkohen përditë sepse ne jemi parti e çështjes kombëtare, por jemi parti edhe e interesit qytetarë”, – u shpreh z.Idrizi.

Të RejatPDIU takim me banorë të Njësisë nr.3 në Tiranë, Idrizi: Të mbështetet biznesi që të rritet punësimi dhe zhvillimi ekonomik

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *