PDIU takim në Sarandë, Konispol dhe Delvinë, Idrizi: Në 4 vitet e ardhshme, ne jo vetëm do të flasim për Çamërinë, por do ta zgjidhim juridikisht këtë çështje

 

 

 

Në 4 vitet e ardhshme ne jo vetëm do të flasim për Çamërinë, por do ta zgjidhim juridikisht, do të detyrojmë qeverinë shqiptare që ti hapë rrugën e zgjidhjes përfundimtare, çështjes së shqiptarëve të Çamërisë. Kështu u shpreh kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, gjatë takimeve me qytetarët në Sarandë, Konispol dhe në Delvinë.

“Ne do ta kërkojmë vatanin tonë sa të kemi frymë, sa të kemi jetë, deri sa ne t’i kthejmë të drejtat tona aty ku i takon, tek i zoti. Garantoj çdonjërin prej jush, që për sa kohë të egzistojë shqiptari i fundit i Çamërisë, ne do të jemi në gjendje që ta çojmë në vend amanetin e të parëve. Kemi bërë gjithçka që Çamëria të zerë vendin e duhur edhe në programet e qeverisë, në programet e diplomacisë shqiptare, në Bruksel dhe do të vazhdojmë ta mbajmë të gjallë, jo për të folur dhe aktivizuar, por për ta zgjidhur atë”,- theksoi kryetari i PDIU-së.

Shpëtim Idrizi tha se PDIU u krijua për ti dalë zot çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

“Ne shqiptarët e Çamërisë, ja lamë në dorë politikës shqiptare zgjidhjen e çështjes çame. Ju e dini shumë mirë që në vitin 2004, Shoqata “Çamëria” prezantoi një Rezolutë për shqiptarët e Çamërisë, madje pati edhe një dakortësi. Përfundimi kush ishte? Jo vetëm që rezoluta nuk u pranua, por anëtarët e Shoqatës “Çamëria” u rrahën në dyert e Parlamentit të Shqipërisë, a thua se ishin në Parlamentin e Greqisë apo Serbisë.  E besoj që sot e kuptoni se kjo nuk mund të ndodh dot më, sepse Çamëria i ka djemtë e vet në Parlamentin e Shqipërisë që i dalin për zot, jo vetëm çështjes çame, por i dalin për zot të gjithë shqiptarëve. Kjo është arsyeja pse ne krijuam PDIU-në, për t’i dal vetë zot fateve tona dhe për ta marrë vetë përsipër zgjidhjen e çështjes çame”,- u shpreh z.Idrizi.

Sipas kryetarit të PDIU-së është fyerje për shqiptarët e Çamërisë, që një çam të kërkojë votat për të nxjerrë deputet Vangjel Dulen.

“Ne gjithmonë kemi qenë solidarë, ne gjithmonë kemi qënë me porta dhe me zemra të hapura, por ne nuk mund të rrimë dot sot pa thënë dy fjalë. Një listë e një partie tenton të na fyej, një listë ku i treti është Vangjel Dule dhe i pesti është Dashamir Tahiri. Do doja dhe s’do ta kisha fare problem, madje do t’i ftoja në partinë tonë që të kishim djem dhe vajza nga minoriteti për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Por një njeri i cili iku, sepse pas 70 vitesh një shqiptar i Çamërisë u bë nënkryetar i Kuvendit dhe nuk e duronte dot, ishte Vangjel Dule.  Bashkë me Dashamir Tahirin kemi kërkuar një minutë heshtje para disa vitesh, për genocidin karshi shqiptarëve të Çamërisë. U çuan 137 deputetë në këmbë, se dy ishim ne, i vetmi deputet që rrinte ulur dhe tentonte të fyente kujtimin e atyre mijëra njerëzve ishte Vangjel Dule. I vemi që do të mbrojë të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, që jemi gati t’i mbështesim edhe ne, vazhdon të thotë “Çamëria nuk ekziston”. Sigurisht që ne nuk mund të rrimë dot pasiv, nuk mund të bëjmë sikur nuk kuptojmë, nuk mund të rrimë dot pa i thënë Dashamir Tahirit dy fjalë edhe prej këtu, se do ta merrte prej veshi e do t’i tregonte Çamërinë.  Ju e dini më mirë sesa unë, PD nuk i mer dot 5 deputetë në qarkun e Vlorës me këtë sistem, tani çfarë bën ky këtu? Si mundet ta pranojmë ne, është fyerje për të gjithë shqiptarët e Çamërisë që ne të votojmë për Dash grekun, që të dalë Dule çami deputet”,- u shpreh Shpëtim Idrizi.

Kryetari i PDIU-së u kërkoi qytetarëve të Sarandës, Delvinës dhe Konispolit, që të votojnë nr.13, të votojnë Tahir Muhedinin.

“Ju duhet të ndëshkoni me votë ata që e kanë marrë vërdallë Shqipërinë për 27 vjet dhe të votoni djemtë e vajzat tuaja. Ata që mendojnë për Konispolin, ata që mendojnë për Sarandën, për Delvinën, për të gjithë ata njerëz që mendojnë se ne kemi një të përbashkët. Atë që na përbashkon, atdhedashuria, patriotizmi, dashuria për vendin. Kemi një komb, një flamur, një Atdhe, një familje. Për të gjithë ata që mendojnë që kemi Veç një Atdhe, unë ju ftoj të votoni PDIU-në. Votoni nr 13. Votoni Tahir Muhedinin”,- tha z.Idrizi.

Ndërsa kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Vlorës, njëkohësisht Presidentit i Nderit të PDIU-së, Tahir Muhedini, tha se: “Në këtë rrugëtim të gjatë ne shqiptarët e Çamërisë kemi arritur të ngremë në qiell kauzën për të cilën jemi krijuar, çështjen çame. Sot Bashkimi Europian e njeh çështjen tonë dhe kjo është rruga e duhur për të zgjidhur çështjen çame. PDIU është e vetmja rrugë që mund të realizojë amanetin e të parëve tanë, kthimin në vatanet tona. Prandaj unë ju ftoj që të mos shkoni te partitë e tjera, ku për të na përçarë kanë futur në lista edhe shqiptarë të Çamërisë, por votoni PDIU-në, partia e cila do të jetë zëri juaj në Parlamentin e Shqipërisë”.

 

Të RejatPDIU takim në Sarandë, Konispol dhe Delvinë, Idrizi: Në 4 vitet e ardhshme, ne jo vetëm do të flasim për Çamërinë, por do ta zgjidhim juridikisht këtë çështje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *