PDIU takim në Berat për zgjedhjet e 25 qershorit, Idrizi: Shqiptarët po ikin përditë për shkak të politikës 27-vjeçare

 

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me qytetarë të Beratit për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, si dhe kandidatët për deputet në qarkun e Beratit, ku lista kryesohet nga Albano Idrizi.

Kryetari i PDIU-së u shpreh se shqiptarët po e braktisin Shqipërinë, për shkak të politikës 27-vjeçare.

“Shqiptarët po ikin përditë, këtë vit janë 20 mijë shqiptarë që po e braktisin këtë vend për shkak të politikës 27-vjeçare që flet për reforma, por bën zig-zake e neve na le në vend. Flasin për reforma, por sa vijnë në pushtet bëjnë pauza. Flasin për integrimin, por kur dalin në opozitë ngrenë çadra një herë njëra palë, e një herë pala tjetra. Ne nuk duam politikanë që të konkurojnë  për të qenë më të zot se aktorët e  humorit, apo që na tregojnë librin “Liza në botën e çudirave” me atë që po ndodh në Shqipëri. Ne na duhen djem dhe vajza seriozë, që përfaqësojnë Beratin, që nuk janë të importuar nga Berati e ta shohin atë në kartolina. Kjo është arsyeja që ne duhet të bëhemi bashkë që t’u kthejmë shqiptarëve shpresën, një kumpt kombëtarist që ta duan këtë vend. Kumpti ynë kombëtarist është koha, sepse shqiptarët sot janë në kohën e lirisë, të vlerave, në kohën e më të mirëve, në kohën e kauzave idealiste dhe kombëtariste”, – u shpreh Shpëtim Idrizi.

Kryetari i PDIU-së theksoi se ndarja në 12 zona zgjedhore është e padrejtë, pasi vota nuk është e barabartë në të gjithë qarqet.

“A mund të më thoni pse sot e kemi ndarë Shqipërinë në 12 qarqe? Unë e di shumë mirë, padrejtësia historike neve na ndau në 5 shtete. Nuk e kuptoj pse na ndau në 12 qarqe dhe jo në 4 apo 5. Për të nxjerrë një deputet në Qarkun e Beratit duhen 13-15 %  e votave, kurse në Tiranë duhen 2.7% e votave. Pse në Kukës për të nxjerrë një deputet duhen 33% e votave. Kjo është arsyeja pse vota e shqiptarëve nuk është e barabartë me këtë ndarje. E duam Atdheun, e duam kombin, i duam të gjithë shqiptarët aty ku i ka vënë Zoti nga Preveza në Mollën e Kuqe. PDIU rritet përditë, një parti e interesit kombëtar, çështjen çame e kemi bërë pjesë dhe plotësuese të hartës identitare të kombit shqiptar. Ne jemi parti që jemi gati të mbështesim në çdo rast interesat e shqiptarëve kudo që ata janë”,- tha kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.          

Shpëtim Idrizi u kërkoi qytetarëve të Beratit që të votojnë PDIU-në dhe kryesuesin e listës në këtë qark, Albano Idrizin.

“Kemi Veç një Atdhe për të gjithë ata që duan ta lenë këtë vend! Kemi Veç një Atdhe për të gjitha ata që u është vrarë shpresa! Kemi veç një Atdhe për të gjithë ata politikanë që pasi e vjedhin dhe e shkatërrojnë këtë vend kanë nga një pasaportë tjetër dhe duan të ikin në një vend tjetër. Jo, ky vend ka shpresë për sa kohë ka shqiptarë që mendojnë si ne! Për sa kohë që ka djem si Albano Idrizi të cilët e duan këtë vend dhe janë qytetarë të parë të vendit ku kanë lindur. Prandaj unë ju ftoj që të votoni Albano Idrizin, votoni PDIU-në, votoni nr.13 në 25 qershor”, – u shpreh z.Idrizi.

Ndërkohë kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Beratit, Albano Idrizi, tha se:  “Këtë mrekulli që zoti e krijoi me kaq kujdes dhe hijesi, e që ne e quajmë Berat, janë të mirëpritur ta vizitojnë të gjithë turistët, nga të katër anët e botës. Por, miqtë e mi, është koha që ne të largojmë me votë deputetët turistë që vetëm e zhvatën këtë qytet ndër vite.  Ne do të trokasim në çdo derë, do të shkojmë kudo për të ftuar njerëzit që t’i bashkohen ndryshimit. Fati i Beratit varet në dorën tuaj! Në 25 Qershor ne nuk do të shkojmë thjesht për të votuar, por ne do të rishkruajmë me gërma të arta historine e re të Beratit dhe do të largojmë njëherë e përgjithmone besëprerët e politikës”.

Të RejatPDIU takim në Berat për zgjedhjet e 25 qershorit, Idrizi: Shqiptarët po ikin përditë për shkak të politikës 27-vjeçare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *