PDIU prezanton programin elektoral, Idrizi: Vizioni i programit të PDIU-së është kombëtarist, ku prevalon interesi qytetar

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka prezantuar programin elektoral, ku në fokus të tij janë çështja kombëtare, çështja e shqiptarëve të Çamërisë, zhvillimi ekonomik i vendit dhe punësimi. Në prezantimin e programit, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, u shpreh se vizioni i programit të PDIU-së është interesi i qytetarëve shqiptarë.

“Vizioni i programit të PDIU-së është kombëtarist, ku prevalon interesi qytetar dhe ai kombëtar. Ajo që na bashkon të gjithë shqiptarëve është Atdheu, është kombi, është flamuri, është gjuha, është historia. Çështja Çame është në themelin tonë jo si çështje e veçuar, por si një Çështje Kombëtare shqiptare, si një çështje që i bashkohet hartës identitare të Shqipërisë. Ne kemi folur dhe do të vazhdojmë të flasim, e të luftojmë për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, në Greqi, në Maqedoni e kudo ku jetojnë shqiptarët. Të gjitha ato janë çështje tonat, janë çështje shqiptare, siç është edhe Çështja Çame. Heqja e Ligjit të Luftës nga Greqia do të jetë hapi i parë për zgjidhjen e Çështjes Çame. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga shteti shqiptar të ulet me shtetin grek për të gjetur rrugën e zgjidhjes drejt heqjes së Ligjit të Luftës dhe për të shkuar drejt zgjidhjes së çështjes së pronave të popullsisë së Çamërisë në Greqi”,- u shpreh z.Idrizi.

Sipas kryetarit të PDIU-së duhet të bashkëpunohet me Kosovën dhe Maqedoninë, për të krijuar një treg të përbashkët për 7 milionë shqiptarë, ndërkohë që tha se falë iniciativave të PDIU-së do të bëhet e mundur hapja e 100 mijë vendeve të punës.

“300 mijë vende pune nuk përputhet me realitetin. Në programin tonë parashikohet hapja e100 mijë vende pune. Në kërkojmë nisjen e një diskutimi të madh publik për të caktuar cili është është profili i ekonomisë shqiptare. Themi turizmin dhe ndërkohë nuk shohim të ketë një taksë “holiday”, investime apo një prioritet tjetër. Specialistët dhe biznesi duhet të mblidhen dhe të përcaktojnë se kush është profili i ekonomisë shqiptare. Turizmi dhe bujqësia janë avantazh konkurues i Shqipërisë, të gjithë investimet, të gjitha iniciativat fiskale duhet të përqëndrohen në këtë drejtim. Të njëtën gjë duhet të bëjë edhe Kosova, të përcaktojë kush është profili i saj ekonomik dhe të dy këto profile ekonomike të jenë komplementare me njëra-tjetrën. Është një mundësi e jashtëzakonshme, për biznesin shqiptar, për biznesin e Kosovës dhe Maqedonisë që të kemi një treg të përbashkët për 7 milionë shqiptarë. Kjo do të bëjë që biznesi të zhvillohet, të ketë më shumë produkte, do sjellë konsum më të madh dhe normalisht do të rritet edhe punësimi”,- tha Shpëtim Idrizi.

Gjithashtu kryetari i PDIU-së, propozoi që të unifikohet administrata doganore dhe ajo tatimore, si dhe të mbështetet biznesi.

“Ne ndajmë idenë që taksat janë në radhë të parë kontribut për shoqërinë. Biznesit t’i krijohet lehtësi. Taksat nuk janë thjesht detyrim për shtetin, ata që mbledhin taksat nuk janë aty për të marrë atë që i duhet shtetit, por për të lehtësuar gjithçka. Ne duhet të stimulojmë biznesin dhe për shkak të mentalitetit komunist të mos i shohim si njerëz që duhet t’i mjelim, t’i godasim, por si njerëz që çojnë përpara këtë vend. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ti japim mundësi dhe hapësira pa fund, sepse biznesi është motorri i zhvillimit. Prandaj dhe propozimi ynë është unifikimi i administratës doganore dhe asaj tatimore. Unë mendoj se duhet një balanc shumë më e mirë mes taksimit të punës dhe taksimit të kapitalit. Ka nevojë për një studim tjetër edhe për fasha të korigjuara. Ne propozojmë që edhe tatim-fitimi nga 15% të bëhet 10% dhe mund të ndryshojë shkalla e TVSH-së për disa produkte”- u shpreh Shpëtim Idrizi gjatë prezantimit të programit elektoral.

 

Ndërsa deputetja Mesila Doda tregoi prioritetet e PDIU-së për çështjen kombëtare.

“Fillimisht, bashkimi ekonomik është prioritet. Përafrimi doganor, leku si monedhë kombëtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Së dyti, legjislacioni. Për një bazë të përbashkët ligjore nuk është bërë asgjë nga asnjëra palë dhe hapi i parë duhet të jetë përafrimi i legjislacionit”, deklaroi deputetja Mesila Doda. Më pas ajo parashtroi një projektligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, si ta ruajmë dhe ta mbrojmë atë. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është propozimi i krijimit të “Lidhjes së Partive Politike Shqiptare”. “Kjo lidhje do të funksionojë si një forum me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike shqiptare pa dallim për çështjet e mëdha kombëtare që mund të mbidhen periodikisht, jo më pak se një herë në vit”, – tha Znj. Doda.

 

Pjesë nga program i PDIU-së:

1.Vizioni

  • Kemi vetëm një Atdhe, nga Preveza në Mollë të Kuqe, që na bën të gjithë shqiptarë, pa dallime politike, krahinore, fetare e prejardhjeje.
  • Kemi një zë për bashkimin kombëtar dhe për çështjen çame, aspirata të kahershme të kombit tonë.
  • Kemi nevojë për një pakt kombëtar për të ndërtuar një Shqipëri të drejtë, të konsoliduar e kombëtariste, me siguri të plotë kombëtare, me solidaritet ndaj atyre që kanë nevojë.
  • Kemi nevojë të sigurojmë vazhdimësinë kombëtare, duke ndihmuar ekonomikisht familjet me më shumë se dy fëmijë, për të ndaluar rrudhjen e Shqipërisë.
  • Kemi nevojë për një pakt kombëtar për një ekonomi që nuk u shërben të huajve e as të paktëve, por i shërben prodhuesit dhe qytetarit shqiptar.
  • Kemi nevojë për një pakt kombëtar që bashkon ekonominë e trevave shqiptare, për të shtuar së paku 100 mijë vende pune dhe për të krijuar parakushtet e bashkimit kombëtar.
  • Kemi nevojë për një pakt kombëtar, që diaspora është pjesë e pandashme e shqiptarisë dhe duhet të ketë vëmendjen e plotë të shtetit shqiptar.
  • Kemi nevojë për një pakt kombëtar për integrimin evropian, uljen e konfliktualitetit të brendshëm politik dhe zbatimin e ndërsjellësisë me fqinjët tanë.
  • Kemi nevojë për një pakt kombëtar për t’u shkëputur nga e kaluara, për të mbyllur kapitullin e regjimit komunist, duke zgjidhur çështjen e pronave dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.
  • Kemi nevojë për një Atdhe që i mëshon arsimit, kulturës, rinisë, shëndetësisë dhe mjedisit, për të rritur mirëqenien e çdo shqiptari dhe për të rritur shpresën e brezave në vijim.

2.Çështja kombëtare

  • Arritjen e një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Kosovës për njësimin e legjislacionit, duke mundësuar kohezionin mes realiteteve në të dyja shtetet, duke marrë për bazë Acquis Communitaire, legjislacionin e Bashkimit Evropian.
  • Hartimin e projektligjit për mbrojtjen e gjuhës shqipe, pas mirëkuptimit me akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora e vjetër dhe e re.
  • Nisma e një debati publik për njësimin e arsimit shqipfolës në trojet amtare dhe nisma konkrete ligjore në bazë të rezultateve të debatit.
  • Propozimi i krijimit të “Lidhjes së Partive Politike Shqiptare”, si një forum me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike shqiptare pa dallim për çështjet e mëdha kombëtare, që do të mblidhet periodikisht, jo më pak se një herë në vit.
  • Integrimi kombëtar infrastrukturor nëpërmjet ndërtimit sa më të shpejtë të Rrugës së Arbrit, rrugës Deçan–Plavë–Guci–Vermosh–Tamarë–Shkodër, rrugës Lezhë–Shëngjin–Velipojë–Urë në Bunë–Shtoj–Ulqin, hekurudhës Lin–Strugë–Kërçovë dhe hapjes së një pike të re kufitare në Zogaj me Malin e Zi.
  • Hapja e një debati të gjerë publik dhe politik për idenë e bashkimit kombëtar, siç parashikohet në Kushtetutë, dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për realizimin e kësaj aspirate shekullore në përputhje me vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe në bazë të mjeteve që udhëheqin parimet dhe konventat ndërkombëtare.

 

Të RejatPDIU prezanton programin elektoral, Idrizi: Vizioni i programit të PDIU-së është kombëtarist, ku prevalon interesi qytetar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *