PDIU takim madhështor në Elbasan, Idrizi: PDIU kandidatët e saj nuk i ka të importuar

PDIU të gjithë kandidatët e saj nuk i ka të importuar, por i ka qytetarë të Elbasanit, që qëndrojnë çdo ditë me hallet dhe problemet tuaja. Kështu u shpreh Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjatë hapjes së fushatës në qarkun e Elbasanit, për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishin të pranishëm kandidatët e PDIU-së për deputet në qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi, Bujar Muça dhe Elena Xhina.

“PDIU të gjithë kandidatët e saj nuk i ka të importuar, por qëndrojnë çdo ditë me hallet dhe problemet e njerëzve. Kjo është arsyeja pse unë jam i bindur që lista jonë është e shkëlqyer, me njerëz që ju i njihni, që qëndrojnë çdo ditë pranë jush. Lista e PDIU-së, nuk është lista e njerëzve që duan të bëhen deputet për interesat e tyre, por janë njerëz që i kanë dalë për zot familjes së tyre, e sot duan ti dalin për zot Elbasanit. Ne në kryje të listës kemi njeriun i cili është bërë lokomotiva e PDIU-së në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë, Aqif Rakipin. Lista e PDIU-së vazhdon me një njeri tjetër, i cili pasi ishte i suksesshëm në punën e tij, vjen për të qëndruar pranë qytetarëve të Elbasanit, ai është Bujar Muça. Kësaj liste nuk mund ti mungonte një avokate e nderuar, Elena Xhina dhe shumë kandidatë të tjerë, të cilët kanë vendosur ti shërbejnë qytetarëve të qarkut të Elbasanit”,- u shpreh kryetari i PDIU-së.

Sipas z.Idrizi PDIU nuk është si partitë e tjera të cilat flasin për kauzat, po sa vijnë në pushtet, bëjnë vetëm pauza.

“Korsia e PDIU-së është korsia e atyre që mendojnë se ne kemi veç një Atdhe, e jo një Atdhe të dytë që ta vjedhim dhe t’jua lemë të marrëve. PDIU është partia e atyre që mendojnë se kemi veç një Atdhe, nga Molla e Kuqe deri në Prevez, kudo ku ka shqiptarë.  PDIU nuk është është si partitë e tjera të cilat flasin për kauzat, po sa vijnë në pushtet, bëjnë vetëm pauza. Ne do të qëndrojmë në këmbë për interesin kombëtar, e interesin e çdo qytetari të Elbasanit dhe çdo qytetari të Shqipërisë. Ne kemi ditur të bëjmë beteja të forta, t’ju qëndrojmë kauzave të mëdha, megjithëse kemi qënë 5 deputetë. Ne jo vetëm do të dyfishojmë mandatet tona, e do të jemi me grup parlamentar, po do na mbani mend gjatë, sepse ne do të jemi parti që do të qeverisim me atë forcë politike, që në radhë të parë mendon për kombin, mendon si ne, që kemi veç një Atdhe. Votoni listën tonë, që është lista e mendjeve të hapura, e burrave e grave që mbajnë fjalën”,- tha Shpëtim Idrizi, i cili u bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, që të votojnë PDIU-në.

Kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi, u shpreh se PDIU do të dalë forcë e dytë në këtë qark.

“Fitorja nuk diskutohet në Elbasan, sepse fitoren e tregon kjo sallë këtu. Ne nuk jemi për në salla, por ne jemi për në stadiume. Sot nuk jemi më për 5 deputetë, kjo sepse do të dalim në qarkun e Elbasnit forcë e dytë. Ne si forcë politike, sa herë bëhen zgjedhje bëjmë surpriza dhe sot jemi një faktor kyç në politikën shqiptare dhe i kemi të gjithë kapacitetet e mundshme për ta qeverisur këtë vend. Ne do të jemi gjithmonë pranë jush, për hallet dhe problemet që keni. Të gjithë kandidatët tanë i kemi vendosur nga qarku i Elbasanit, kurse partitë e tjera e kanë mbushur Elbasanin me kollovarë”,- tha deputeti Aqif Rakipi.

Ndërsa kandidati tjetër Bujar Muça, tha se PDIU është partia që i bashkon shqiptarët.
“Do të shkojmë në një fitore të bindshme në zgjedhjet e 25 qershorit. PDIU është një parti që i bashkon njerëzit dhe jo një parti që i ndan. PDIU është një forcë që i mbron njerëzit e saj dhe jo një parti që i harron. PDIU nuk është vetëm e shqiptarëve të Çamërisë, por e të gjithë shqiptarëve anembanë. I bëj thirrje të gjithë atyre që nuk e gjejnë veten tek partitë e vjetra, të bashkohen me PDIU-në, të votojnë PDIU-në, për një Elbasan më të mirë”, – tha Bujar Muça.

Kandidatja Elena Xhina, u shpreh se PDIU po shkon drejt rrugës së fitores, kjo falë edhe mbështetjes të mijëra qytetarëve në qarkun e Elbasanit.

Të RejatPDIU takim madhështor në Elbasan, Idrizi: PDIU kandidatët e saj nuk i ka të importuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *