PDIU hap fushatën elektorale , Idrizi: Ngrihuni ju djem e vajza të Çamërisë e ju mijëra të tjerë që na jeni bashkuar në kauzën tonë e mos të ulemi deri sa të fitojmë të drejtën tonë

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit. Në një takim madhështor, PDIU prezantoi kandidatët për deputet në të gjitha qarqet. Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës së tij tha se, “PDIU ka në qëndër çështjen kombëtare, të rinjtë dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.

Fjala e plotë e kryetarit të PDIU-së Shpëtim Idrizi

Është kënaqesi për mua ta nis fjalen time duke uruar të gjithë besimtarët myslimanë agjërim të lehtë e të pranuar.

Zoti qoftë me Ju, bekim në çdo vend ku frymon shqiptari, mbarësi në familjet tuaja.

E do të uroja që ky muaj të ishte një ogur i mirë që ta shihnim veten më solidarë e shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e duhur.

Po sot, jemi të detyruar të fillojmë fushatën elektorale e të nisim rrugëtimin tonë të gjithe bashkë drejt fitores së PDIU-së. Bashkohemi që të themi të gjithë sa jemi këtu dhe kushdo që mendon si ne se:

Unë kam Veç një Atdhe!

Zoti Resul, xha Servet, xhaxi Xhati ju keni Veç një Atdhe!

Mesila, ti ke Veç një Atdhe!

Aqif, ti ke Veç një Atdhe!

Taku, ti ke Veç një Atdhe!

Sait, Krenar, Nustret, Reme, Spartak, Zef, Vjollca, ne kemi Veç një Atdhe!

Ne të gjithë që jemi këtu, të gjithë ata që do të na votojnë më shumë se kurrë në 25 qershor na bashkon kjo ide, ky program:

Veç një Atdhe!

Të njëjtë e shohim Atdheun tonë si në Dibër, Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Berat, Korçë, Konispol.

Atdheu është një dhe i vetëm, kudo në Preshevë, Kosovë, Iliridë, Shqipëri, Malin e Zi, Diasporë dhe pa dyshim sot më shumë se kurrë tek e shtrenjta Çamëri.

Ky është Atdheu ynë, edhe më i madh se kaq, por neve na ra detyra ta ribëjmë, ta rifitojmë, ta rimarrim.

Kemi kaq vjet që jemi nisur në këtë rrugëtim kilometrik për të rifituar jo thjesht tokat, pronat, shtëpitë, por vatanin tonë, Çamërinë.

Por, ja ku po jua them sot në mënyrë solemne që nuk ka thjesht dritë në fund të tunelit.

Por, ka zgjidhje për Çështjen Çame si çdo çështje që ka drejtësinë me vete e që ka djem e vajza kudo që i dalin për zot!

Nuk do të jetë e largët ajo ditë që ne do të dalim nga ky terr që e futi Çamërinë egërsia e pashpirt e zervistëve të Greqisë, por dhe politika keqdashëse e udhëheqësve të dikurshëm të Shqipërisë.

Por sot, këto kohë duken të harruara. Ja ku jemi sot, këtu larg folklorit, por me fakte dhe zhvillime të pamenduara më parë për Çështjen Çame.

Para katër vitesh, shoqata “Çamëria” dhe PDIU shpallën se kombëtarizimi i Çështjes Çame kishte përfunduar dhe tashmë beteja ishte për ndërkombëtarizimin e saj. Sot, për herë të parë, mund të themi me krenari se Çështja Çame është çështje e Bashkimit Europian!

Dhe siç e premtuam, Brukseli njeh që Çështja Çame është një çështje e pazgjidhur mes dy vendeve, jo se ne që jemi sot këtu nuk e dinim, por sepse tani nuk del dot njeri ta thotë aq lehtë që nuk ekziston.

Nuk e mohon dot më njeri Çështjen Çame!

Nuk ka më njeri në Greqi apo kudo qoftë që të thotë se Çamëria nuk ekziston!

Ndaj sot po jua them copë:

Unë jam çam! Unë jam europian!

Deri më sot disa politikanë kanë pasur hallin mos i prishim qejfin fqinjit tonë gërrnjar duke i përmendur Çështjen Çame.

Sot, kur e kemi çertifikimin europian për një nga plagët më të mëdha kombëtare, ju them shqiptarëve:

Mos kini frikë! Mos kini frikë nga Çamëria!

Çamëria është nderi dhe e drejta jonë,

Çamëria është turpi i atyre që vranë burra e gra e fëmijë si burracakë e jo në luftë, por në gjumë e të pambrojtur, e që mendojnë sot që mund të na çbëjnë e të mos egzistojmë.

Por, ne e kemi egzistencën nga Zoti e mijëra shpirtra që nuk gjejnë prehje, ngrihuni ju djem e vajza të Çamërisë e ju mijëra të tjerë që na jeni bashkuar në kauzën tonë e mos të ulemi deri sa të fitojmë të drejtën tonë.

E kuptoni  miqtë e mi, pse ne egzistojmë në politikë, e unë i bëj thirrje çdo shqiptari të na votojë e mbështesë në këto zgjedhje, të na japin votën e forcën për kauzën tonë e për t’i dhënë çdo shqiptari nga Preveza në Mollën e Kuqe, më shumë identitet kombëtar e dinjitet, sepse ne kemi Veç një Atdhe!

Me ju, me voton tuaj për PDIU … fiton Çamëria!

Fiton Shqipëria!

Sot, nuk jam vetëm unë çam, sot të gjithë jemi çamë!

Nuk duhet vetëm të lindësh i këtillë.

Të gjithë shqiptarët kudo që të ndodhen sot janë çamë, si ishim pak ditë më parë tetovarë, si ishim pak vite më parë të gjithë kosovarë!

Ne kemi Veç një Atdhe!

E duam Kombin tonë, aq sa na e ka falur Zoti, aq të madh sa është nga Çamëria në Kosovë, nga Korça në Shkup, nga Vlora në Tivar. Nuk duam asnjë centimetër që nuk na takon, por e duam njësoj Prevezën e Margëlliçin si duam Plavën dhe Gucinë.

Unë sot i përgjigjem gojëve të liga që thonin se Çështja Çame nuk ekziston.

Jo! Çështja Çame ekziston dhe është gjallë më shumë se kurrë!

Këtë nuk e thotë vetëm Shpëtim Idrizi, por Komisioneri Hahn.

Sa herë përmendim këta kufinj, dikush atje jashtë nga Greqia a Serbia na akuzon për nacionalizëm, për Shqipërinë e Madhe, për irredentizëm.

Nuk është e vërtetë, është një gënjeshtër e madhe e ndërtuar nga shkulmet e padrejtësisë.

I vetmi komb në Europë që nuk e ka sulmuar kurrë një komb tjetër në historinë e vjetër dhe të re të Europës janë shqiptarët. Përkundrazi, ndaj tyre janë kryer tmerre, masakra nga serbët, grekët, bullgarët, malazezët.

Sepse, ne jemi kombi i Skënderbeut, i Nënë Terezës, i Hasan Tahsinit, i të mëdhenjve të Ballkanit!

Ndaj sot, po themi Mjaft!

Askush nuk na nëpërkëmbë dot!

Ne kemi Veç një Atdhe!

Të dashur motra dhe vëllezër,

Sot, PDIU nuk është parti vetëm e Çështjes Çame, por e gjithë Çështjes Kombëtare ende të pazgjidhur! Eshtë rritur shumëfish, sepse problemet e mëdha zgjidhen së bashku dhe në funksion të njëri-tjetrit.

Etiketimi i PDIU-së si parti e çamëve, është vepër e analistëve të cekët, apo ndonjë vendi fqinj që kanë ngulmuar nga padija apo ligësia të tkurrin aksionin tonë dhe atë shqiptar në veçanti.

Por ne, me votat tona, me mbështetjen tonë elektorale në të gjithë Shqipërinë, e kemi kapërcyer këtë stigmatizim!

Ne jemi partia e të gjithë shqiptarëve! Sepse Çështja Çame është e të gjithë shqiptarëve.

Ne jemi partia e Çështjes Kombëtare!

Sepse Çështja Kombëtare është e të gjithë shqiptarëve!

Prandaj u themi pa patur frikë, kudo që të jeni:

Votoni për Shqipërinë e Përbashkët!

Të dashur motra dhe vëllezër,

Ne duhet te luftojmë për vendin tonë.

Kjo skenë politike tranzicioni ka detyruar që më shumë shqiptarë të ikin nga atdheu sesa kurdoherë më parë.

Kjo nuk është retorikë. Nuk është tendencë për të hedhur baltë. Kjo është e vërtetë që nuk thuhet nga ne.

Organizata e Kombeve të Bashkuara projekton se për disa dekada Shqipëria do të ketë 1.7 milionë banorë. Nga rreth katër milionë në vitet 1990. Nga 3 milionë në vitet 2000.

Atë që ky tranzicion ka prodhuar, as Enver Hoxha nuk ia ka bërë Shqipërisë.

Dhe çfarë duhet të bëjmë? Të qëndrojmë duarkryq?

Jo, sepse ne nuk kemi Atdhe Rezervë! Ne kemi Veç Një Atdhe!

Thashë para disa ditësh që duhet të rifusim ushtrinë për një muaj për të rinjtë.

Disa m’u hodhën në fyt.

Thanë se po them gjëra, të cilat nuk kanë të bëjnë me problemet aktuale.

E keni gabim miqtë e mi.

Doni një Shqipëri që të bëhet si Kanadaja, edhe pse ushtria ka programe akoma dhe në gjimnaze? Apo doni një Shqipëri që në rast se rrezikohet integriteti ynë, na ndihmoftë Zoti?

Unë i pari! Djemtë e mi të parët! Për këtë vend që kemi dhe nuk duam ta zëvendësojmë!

Por, është më shumë se kaq!

Nuk bëhet fjalë për ushtrinë. Bëhet fjalë për nevojën tonë që ta shohim këtë Atdhe të eci përpara.

Sepse, në një vend që nuk zhvillohet, nuk ka begati për askënd.

Një grup i vogël njerëzish mund të pasurohen, por akoma as ata nuk kanë çfarë e duan pasurinë në një vend pa mirëqënie.

Një Shqipëri e fortë, është një Shqipëri e shëndetshme, me rritje të qëndrueshme.

Prandaj, ne do të propozojmë institucionalizimin e betimit para flamurit, për çdo shqiptar, në ditën e arritjes së moshës madhore, për të konsoliduar këtë raport të ri.

Sepse, kur shohim çdo vend të zhvilluar, shohim dashurinë e tyre ndaj flamurit dhe atdheut.

Kush frikësohet nga një zhvillim i atdhedashurisë në Shqipëri? Vetëm ata që kanë një Atdhe të dytë! Ne nuk e kemi!

Prandaj, programi ynë lufton shpopullimin.

Ne do të propozojmë Mbështetjen financiare për nënat me mbi dy fëmijë, duke ofruar një shpërblim financiar mujor për çdo fëmijë të tretë apo të katërt, me qëllim nxitjen e rritjes së lindshmërisë dhe një sërë masash te tjera që do i shpalosim në fushatë.

Kemi 27 vjet dhe jemi i vetmi vend që nuk jemi shkëputur nga e kaluara. Do më thoni: ia vlen të merremi me këtë, nëse nuk kemi ekonominë në rregull?

Miqtë e mi,

Shkëputja nga e kaluara është parakusht që ta bëjmë Shqipërinë një vend të begatë.

Nuk është bërë Gjermania Lindore një hapësirë me të ardhura të barabarta, vetëm pse u bashkua me pjesën Perëndimore.

U bë, sepse e luftoi shpopullimin siç premtojmë ne, e ngriti atdhedashurinë siç premtojmë ne dhe arriti të shkëputej e para nga e kaluara.

Pa u zgjidhur çështja e pronave, e ish-të prëndjekurve dhe e dekomunistizimit, Shqipëria nuk bëhet dot Atdheu që duam.

Prandaj, ne propozojme krijimin e Autoritetit Kombëtar të Pronave, ku do të përfshihen të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me çështjen e pronave, në mënyrë që të ketë koordinim mes regjistrimit, kompensimit, legalizimit, pronave shtetërore etj.;

Kjo e shoqëruar me dekomunistizimin dhe përfundimin e procesit të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve, do të mbyllë kapitullin e së shkuarës. Sepse, historia e suksesit e vendeve të Europës Lindore ka vërtetuar që pa u shkëputur nga e kaluara nuk ia del dot.

Shqipëria që ëndërrojmë, për të cilën sot i japin besën njëri-tjetrit, ka një ekonomi për shqiptarët, jo për të huajt, apo për një grusht të pasurish, por për këdo. Sepse, pa begatinë e këtij vendi nuk ka begati personale.

Na besoni që të mundësojmë krijimin e Komunuellthit Ekonomik Shqiptar, me 100 mijë vende të reja pune. E vetmja formë që kjo mund të realizohet.

Çdo premtim tjetër është mashtrim i pastër e bajat i 27 viteve të tranzicionit.

Kjo duhet shoqëruar me një strategji të integruar dhe të plotë për zhvillim të ekonomisë shqiptare, heqjen e taksave doganore dhe njësimi fiskal ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Ky vend ka pasur bashkim doganor me Jugosllavinë e Titos dhe sot elita politike nuk guxon ta bëjë me vëllezërit tanë në Kosovë.

Ne zotohemi për një nacionalizëm ekonomik me politika mbrojtëse për biznesin vendas me metoda si subvencionimi, ndryshimi i tarifave të referencës, me qëllim mbrojtjen e prodhimeve shqiptare etj.

Në fushatë do të paraqesim programin më të plotë për bujqësinë që është prezantuar nga një parti politike në këto 27 vjet, sepse nëse nuk mbështesim bujqësinë ne nuk ia dalim të rishpërndajmë pasurinë në mbarë vendin!

PDIU është parti e rinisë, e anëtarëve dhe votuesve të rinj.

Ne kemi programin më të mirë për rininë, për shkollimin dhe punësimin e tyre të sigurtë që do të prezantohet gjerësisht në fushatë.

Ne jemi partia e Diasporës. Unë besoj se çdo shqiptar duhet të ketë të drejta mbi këtë vend. Prandaj, ne e shohim të domosdoshëm ndryshimin e ligjit për shtetësinë.

Diaspora e vjetër, nga arvanitasit te vatranët në SHBA të kenë të drejtë të marrin shtetësinë shqiptare, pa kushte të tjera.

Ne besojmë se çdo shqiptar duhet të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Për fat të keq nxitimi i partive politike shqiptare për të bërë marrëveshje kulisash na la sërish pas. Përsëri nuk u garantua e drejta e votës e emigrantëve në shtetet ku jetojnë.

PDIU është e bindur se fuqizimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare, nuk mund të bëhet pa Diasporën. Prandaj, është e nevojshme ta kthejmë Diasporën në zone të lirë ekonomike.

Të dashur miq,

Gjatë kësaj fjale, besoj e vutë re që nuk u mora me politikën e ditës ose më mirë me cic-micet e ditës.

Në fakt, sot kemi hyrë në fushatë elektorale pas një marrëveshje politike shumë të vështirë që u realizua edhe falë iniciativave konkrete dhe patriotike që ndërmori Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Pakti Kombëtar që ne paraqitëm këtu e muaj më parë u bë themeli i Paketës McAllister dhe për këtë jemi të lumtur.

Askush nga ne, drejtuesit e PDIU-së nuk mendonte që do të ishin të lira zgjedhjet, nëse një palë nuk merrte pjesë.

Ato do të ishin votime, por jo zgjedhje.

Sot, për fat të mirë i kemi të gjithë në garë, prandaj dhe e përshëndesim marrëveshjen e pasmesnatës që arritën dy shkaktarët e krizës, ish qeveria dhe ish opozita.

Nuk dua t’ju marr asnjë minutë kohë dhe të merrem me hedhje-pritjet që pasuan këtë marrëveshje dhe veçanërisht me hesapet elektorale që bëjnë komentatorët apo matësit e opinionit.

Por, një koment duhet ta bëj;

Të gjitha partitë kanë futur shqiptarë të Çamërisë në listat e tyre… Nëse do t’i shihni të gjithë në zona, ku nuk fitojnë, thjesht për të marë votat, sepse sesa u preu barku PD, PS e LSI për shqiptarët e Çamërisë e kemi parë…

Më ekzemplari është Dashi. Ne e dimë që ndonjëherë na marrin lehtë, për shkak të durimit ton. Dashi patrioti është i pesti në listen e PD-së në Vlorë.

PD në Vlorë s’ka patur dot asnjëherë pesë deputetë e kush e njeh Vlorën e di që nuk ka për t’i pas ndonjëherë – Po pse duhet aatëherë Dashi në listë i pesti?

Dashi duhet që të marrë votat e çamëve dhe deputet të bëhet Vangjel Dule që është i treti në listë..

Mesa duket Dashi me Vangjelin janë marë vesh që me votat e çamëve e Dashit të bëjnë deputet Vangjel Dulen që të zgjidhë Çështjen Çame.

Të jem i sinqertë kjo tregon se nuk kemi vetëm mbështetjen e shqiptarëve, por edhe të kundërshtarëve politikë.

Sepse, shqiptarët e Çamërisë nuk janë budallenj, nuk votojnë qorazi dhe me këto tallje që bëhen në kurriz të tyre do bashkohen si kurrë më parë me të drejtën, me PDIU-në.

Sepse, çamët e Vlorës nuk mund të votojnë as Dash grekun e as Vangjel çamin.

Ju kujtohet, kur kërkonim një minutë heshtje dhe Vangjeli nuk çohej as për të respektuar të vdekurit.

Po mirë që Dashi s’e ka problem e rri në listë, po ky Vangjeli ç’pati kësaj radhe që po rri urtë e nuk iku nga lista siç iku dikur nga nënkryetar Kuvendi, kur një shqiptar i Çamërisë shkoi në të njëjtën pozitë??? E para, se Vangjeli e di që nuk del deputet më e kësaj here i duhet ndihma e Dashit dhe votat e çamëve që të bëhet deputet.

Unë nuk besoj, që do ketë një shqiptar të Çamërisë që do të japë votën që Vangjel Dule të bëhet deputet.

Hekuran, Arjol, falenderojini për këtë dhuratë që ju bënë dhe ju garantuan mandatet!

Vangjel, më vjen keq, nuk do të bëhesh deputet këtë herë!

Miqtë e mi,

Në këto zgjedhje PDIU ndjehet më mirë se kurrë, ne do të garojmë në korsinë tonë, në korsinë e çdo patrioti që e do këtë vend të bashkuar me dinjitet e identitet kombëtar.

Në korsinë e çdo shqiptari që mendon si ne që: Ne kemi Veç një Atdhe!

Sigurisht, vota e çdo shqiptari do të ishte e barabartë me kërkesën tonë per sistem proporcional kombëtar dhe që të kishin numërues partitë parlamentare .

Por, unë jam besimplotë që jo vetëm do të kemi grupin tonë parlamentar, por do të dyfishojmë numrat që kemi patur deri më sot.

Nuk është llogari kjo. Është frymë!

Është frymë që e gjejmë kudo që shkojmë, kudo që trokasim, kudo që takojmë njerëz, në fshat qytet nga Tropoja në Konispol!

Por, ne kuptojmë shumë mirë shqetësimin e partive të vogla që nuk u futën dot në koalicione.

Kjo sjellje ka qenë pabesi ndaj tyre, votuesve të tyre.

Ato kanë të drejtë, sepse kanë shtrembëruar rregullat e lojës në mes të rrugës dhe ky është shtrembërim i pastër i demokracisë dhe i vullnetit të zgjedhësve.

Por, PDIU nuk preket nga këto makinacione të ulëta të politikës shqiptare.

A e dini përse nuk prekemi ne nga këto që thashë më sipër?

Sepse Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk është një parti e vogël!

Nuk jemi një parti krahinore si duan ta thonë ca.

PDIU është parti e madhe dhe kombëtariste!

Jemi ballëhapur dhe e dimë që na pret vetëm një lajm në 25 qershor: Fitorja!

PDIU hyn në këto zgjedhje për të fituar!

Hyn në këto zgjedhje për të qeverisur!

Hyn në këto zgjedhje për të plotësuar amanetin e të parëve!

PDIU hyn në këto zgjedhje me një ofertë për çdo shqiptar, sepse ne kemi Veç Një Atdhe dhe gjithçka që na ndan, është e parëndësishme, para asaj që na bashkon, përpara Shqipërisë!

Prandaj, ju ftoj, të bashkohemi për të hyrë në çdo shtëpi shqiptari e t’i japim besën që përbën pikënisjen tonë:

  1. Ne kemi vetëm një Atdhe, nga Preveza në Mollë të Kuqe, që na bën të gjithë shqiptarë, pa dallime politike, krahinore, fetare e prejardhjeje.
  2. Ne kemi Veç një Atdhe për bashkimin kombëtar dhe për Çështjen Çame, aspirata të kahershme të kombit tonë.
  3. Ne kemi Veç një Atdhe për të ndërtuar një Shqipëri të drejtë, të konsoliduar e kombëtariste, me siguri të plotë kombëtare, me solidaritet ndaj atyre që kanë nevojë.
  4. Ne kemi Veç Një Atdhe që të sigurojmë vazhdimësinë kombëtare, duke ndihmuar ekonomikisht familjet me më shumë se dy fëmijë, për të ndaluar rrudhjen e Shqipërisë.
  5. Ne kemi Veç një Atdhe për një ekonomi që nuk u shërben të huajve e as të paktëve, por i shërben prodhuesit dhe qytetarit shqiptar.
  6. Ne kemi Veç një Atdhe që bashkon ekonominë e trevave shqiptare, për të shtuar së paku 100 mijë vende pune dhe për të krijuar parakushtet e bashkimit kombëtar.
  7. Ne kemi Veç një Atdhe, që diaspora është pjesë e pandashme e shqiptarisë dhe duhet të ketë vëmendjen e plotë të shtetit shqiptar.
  8. Ne kemi Veç një Atdhe për integrimin europian, uljen e konfliktualitetit të brendshëm politik dhe zbatimin e reciprocitetit me fqinjët tanë.
  9. Ne kemi Veç një Atdhe për t’u shkëputur nga e kaluara, për të mbyllur kapitullin e regjimit komunist, duke zgjidhur çështjen e pronave dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.
  10. Ne kemi nevojë për Veç një Atdhe që i mëshon arsimit, kulturës, rinisë, shëndetësisë dhe mjedisit, për të rritur mirëqenien e çdo shqiptari dhe për të rritur shpresën e brezave në vijim.

Veç një Atdhe për ata që duan të largohen nga vend dhe ata që refuzojnë të ikin nga Shqipëria!

Veç një Atdhe që mos t’ua lëmë këtë vend të marrëve!

Zoti i bekoftë shqiptarët, pavarësisht janë me ne apo kundër nesh, të majtë a të djathtë, demokratë, socialistë, integristë, pavarësisht në janë verior apo jugor, myslimanë, katolikë a ortodoksë, të rritur a të vegjël.

Ne kemi Veç një Atdhe e prandaj ju them me zë të fuqishëm Votoni PDIU!

Rroftë Çamëria!

Rrpftë Shqipëria e veç Bashkim!

Fitore!

Të RejatPDIU hap fushatën elektorale , Idrizi: Ngrihuni ju djem e vajza të Çamërisë e ju mijëra të tjerë që na jeni bashkuar në kauzën tonë e mos të ulemi deri sa të fitojmë të drejtën tonë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *